Policët e rinj në nivel jo të duhur, qytetarët të pakënaqur me sjelljet e tyre

Policet-1600x1200-600x360.jpg

Nëpër rrugët e qyteteve të Kosovës, e veçanërisht në kryeqytet po shihen grupe të policëve të rinj, të cilët iu janë përveshur punës në teren për “mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve”.

Por, qytetarët po ndihen të befasuar me sjelljet e tyre.

Atyre nuk po u pëlqen aksioni i rreptë për marrjen e veturave, teksa ankohen në qasjen e tyre gjatë komunikimit.

Qytetarët thonë se e gjithë kjo po bëhet për t’u ngritur në pozita, për shkak të periudhës së tranzicionit të qeverisë, ose për të treguar përkushtim ndaj rendit.

“Po kam pasur rast para 1 javë të rrethi i flamurit, isha në veturë dhe ka ardhur policia ma ka kërkuar patentë shoferin. Nuk kam qenë i parkuar por brenda në kërr jam duke e pritur djalin me dal prej punë. Ma ka marr patentë shoferin dhe me ka dënuar 30 euro. Kanë marr mënyre tepër euforike, ndoshta edhe mosha e bënë të veten”.

“Mendojnë që brenda 1 javë me tregua që kanë ambicie me mbërri pozita më të larta. Ata duhet me shku shkallë-shkallë e jo me ardhur tepër temperament, jo të kuptueshëm. Ai nuk din me  ditur rregullat më mirë se unë se ai e ka kryer një kurs ose një shkollë të mesme derisa unë që 40 vjet voziti. Qytetarët janë të një mendimi që me i përkrah kur e kanë me vend sepse nuk kemi urrejtje prej tyre. Mënyra e sjelljes së tyre është duke i befasuar qytetarët. Kam rast tjetër për 10 cm shtyju më brenda, kerri nuk shtyhet ma brenda për m’i lëshua 10 cm. Dashtë Zoti me u përmirësua”, thotë ai.

E njëri nga qytetarët që pati përvojë jo të mirë, po shprehet për Ekonomia Online se sjellja e policëve të rinj nuk është e duhura.

“Po sa pata rast dhe më dënuan. Jam furnizues i lokalëve dhe më dënuan për furnizim. Unë e la 2 minuta ose 3 dhe vazhdoj punën por më dënuan. Sjelljet janë jo të mira”, thotë ai.

Edhe një qytetar tjetër po shprehet i mllefosur në institucionin që llogariten ndër më të besueshmit në vend.

“Kam pasur raste kur ma kanë vendosur një fletë të vetura por ne nuk po dimë se ku me e parku sepse u mbushë qyteti plotë. Kemi nevojë më shku në punë, me u afru sa më shumë pasi jetojmë në periferi. Ata duhet më pasur parasysh, nëse ne parkojmë keq është vet fakti se nuk kemi ku të parkojmë, shteti duhet më ba hapësira. Nuk kam pasur ndonjë konflikt të tillë, por i kam parë nëpër qytet duke u sjell dhe kjo është njëfarë mase në këtë periudhë tranzicioni të qeverisë, për më treguar përkushtim ndaj rendit. Por është qasje e gabuar sepse duhet me u analizuar më thellë edhe me gjet zgjidhje më të mira”, thotë ai.

Lidhur me këtë Policia e Kosovës nuk ka dhënë asnjë përgjigje, edhe pse është tentuar të kontaktohet nga Ekonomia Online.

Ndërsa, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli, thotë se këta policë kanë përfunduar trajnimin 9 mujor dhe se së shpejti do të orientohen në njësitë të ndryshme përkatëse.

“Ata kanë kryer trajnimin e tyre nëntë mujor, kur kanë mësuar të gjitha hapat, të cilët duhet të jenë në polici në mënyrë teorike dhe praktike. Tani janë prezent dhe shihen. Në bazë të dhënave që kemi, ata djem dhe vajza janë të përgatitur, të gatshëm për çdo punë”.

“Gradualisht me kohë do të zgjedhim njësit të ndryshme, patrulluese, trafikut, Njësisë Speciale, të hetimeve. Kështu që po e marrin formën e duhur atë që presim ne edhe ata”, thotë Tasholli.

Derisa policët e rinj të fitojnë përvojën e duhur, qytetarët janë ata që do ta pësojnë.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303