fbpx

Policëve shqiptarë do t’u mbahet deri 1/3-a e pagës

policet-pagat_1488263579-8312831.jpg

Ndryshime të reja parashikohen që të aplikohen në Policinë e Shtetit, duke nisur nga viti i ardhshëm.

Një pr.ligj i ri i dërguar së fundmi në Kuvend, por që pritet të miratohet vitin e ardhshëm rrit masat disiplinore ndaj policisë, duke arritur edhe në mbajtje të pagës mujore.

Neni 16 propozon disa ndryshime në nenin 96 të projektligjit, duke zëvendësuar masën displinore “ulje me një gradë për një periudhë deri në 6 muaj” me masën “mbajtja  deri  në  1/3  e  pagës  së  plotë  për  një  periudhë  deri  në  6  muaj”.

Gjithashtu, është propozuar ndryshimi i afatit të shuarjes së masës disiplinore “vërejtje” dhe “vërejtje me paralajmërim” nga 2 vjet në 6 muaj nga njoftimi i masës, si dhe për masat “shtyrje e afatit të gradimit” ose “mbajtja deri në 1/3 e pagës së plotë për një periudhë deri në 6 muaj”, është parashikuar 1 vit nga mbarimi i afatit.

Projektligji nuk është planifikuar në programin e përgjithshëm analitik të projektakteve, për Ministrinë e Brendshme, për vitin 2018. Gjithsesi, ky projektligj është pjesë e reformës në Policinë e Shtetit, e cila është në përputhje me programin politik të Këshillit të Ministrave, pasi prioriteti i qeverisë për vitet në vazhdim është rritja e parametrave të rendit e sigurisë publike, forcimi i mëtejshëm i luftës kundër krimit në përgjithësi e atij të organizuar në veçanti, si dhe luftës kundër terrorizmit.

Përparësitë që do të sjellë miratimi i këtij projektligji sipas relacionit janë si më poshtë:

Fuqizimin e strukturave operacionale policore;
Mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe garantimin e sigurisë së jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarit;
Luftën pa  kompromis  dhe  ndëshkimin  e  ashpër  penal  ndaj  grupeve dhe/ose organizatave kriminale, si dhe grupeve me agjenda ekstremiste të dhunshme dhe terroriste;
Përforcimin e  sigurisë  publike  dhe  sigurimin  e  shërbimeve  efikase  e cilësore ndaj qytetarëve;
Përforcimin e kontrollit në kufi dhe përmirësimin e shërbimit kufitar, si kusht për të garantuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.

Neni 96 ( që do të ndryshohet)
Masat disiplinore
Punonjësi i policisë që kryen shkelje disiplinore ndëshkohet disiplinarisht: a) Për shkelje të lehta disiplinore me masat: i) vërejtje; ii) vërejtje me paralajmërim. b) Për shkelje të rënda disiplinore me masat: i) shtyrje e afatit të gradimit deri në 2 vjet; ii) ulje me një gradë për një periudhë deri në 6 muaj; iii) pëtjashtim nga policia.
Masa disiplinore shuhet pas kalimit të këtyre afateve: a) dy vjet nga njoftimi i masës “vërejtje” dhe “vërejtje me paralajmërim”; b) tre vjet nga mbarimi i afatit, për të cilin është zbatuar masa disiplinore “shtyrje e afatit të gradimit deri në 2 vjet” ose “ulje me një gradë”.

Llojet e shkeljeve disiplinore, procedura e shqyrtimit, ndëshkimit, ankimit për masën e dhënë, si dhe shuarja apo parashkrimi i shkeljeve e masave disiplinore për punonjësin e policisë përcaktohen në Rregulloren e Policisë.

Efektet e masës disiplinore për punonjësin e policisë fillojnë pas përfundimit të procesit disiplinor, ku përfshihen procedurat përkatëse të ankimit.

Nëpunësi civil për shkeljet e kryera ndëshkohet me masë disiplinore të përcaktuar në legjislacionin për nëpunësin civil.
Punonjësi administrativ për shkeljet e kryera ndëshkohet me masë disiplinore të përcaktuar në kontratën individuale ose kolektive të punës. /Monitor/

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *