fbpx

Policia jep njoftimin: 166 këmbësorë të gjobitur, 19 heqje patentash dhe 2 arrestime

Policia me anë të një njoftimi ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit, ka ndëshkuar 19 drejtues mjetesh, 166 këmbësorë e 3 njësi tregtie.

Njoftimi i plotë:

Policia e Shtetit

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në të gjithë territorin, në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 19 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.

Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit, si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga strukturat e Policisë dhe denoncimeve të ardhura nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, në 112/129 dhe Komisariatin Dixhital, janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 166 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Ndërkohë, në Tiranë, shtetasit M. K., 44 vjeç dhe D. K., 42 vjeç janë arrestuar në flagrancë nga Policia, për kundërshtim të forcave të Policisë, pasi rreth orës 19:00 të ditës së djeshme janë konstatuar duke lëvizur në këmbë dhe kur punonjësit e Policisë i kanë kërkuar që të identifikoheshin, ata nuk kanë pranuar dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.

 

Në të gjithë vendin janë konstatuar 3 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.

 

Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të aplikojnë në e-Albania apo në numrin falas 55155, për t’u pajisur me autorizim, për një pjesëtar të familjes, për të bërë pazar në qendrat urbane, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa.

 

Theksojmë faktin se nuk do të lejohet asnjë këmbësor të dalë për shëtitje, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, pa marrë leje.

 

Shërbimet e Policisë, nëse do konstatojnë këmbësorë me mungesë të email-it apo mesazhit konfirmues nga e-Albania, do të aplikojnë gjobat ndaj tyre.