Policia kap dhe arreston menjëherë 26-vjeçarin, ja kujt ia bleu 4 byzylykët e floririt

Ka shkuar në tre numri i personave që janë arrestuar nga operacioni policor Trajektorja.

Policia njofton se ka arrestuar një 26-vjeçar, i cili ka blerë 4 byzylykë floriri, nga Astrit Thaçi, i cili dyshohet se është autor i të paktën 8 grabitjeve të ndodhur në Tiranë, Durrës dhe në Elbasan.

Njoftimi i policisë:

Vijon operacioni “Trajektorja”.

Shkon në 3 numri i të arrestuarve.

Vihet në pranga një 26-vjeçar që kishte përfituar disa nga sendet e vjedhura nga autori.

Në vijim të operacionit “Trajektorja” nga DVP Durrës, Tiranë, Elbasan dhe Forca e Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe ndalimi i autorit të një sërë vjedhjesh dhe tentativash për vjedhje me dhunë e armë, si dhe prangosja e bashkëpunëtores së tij në këto vjedhje, ka vijuar puna për dokumentimin e plotë të këtyre rasteve.

Në këtë kuadër, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan  shtetasin: F. S., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka blerë 4 byzylykë floriri nga shtetasi A. Th., të cilët i kishte vjedhur.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale “Përvetësimi i parave ose i mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”.