Pompeo i bën thirrje fuqive të mëdha të reagojnë ndaj provokimeve bërthamore të Iranit

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, është shprehur se fuqitë e mëdha duhet të kundërshtojnë “shantazhin bërthamor” të Iranit dhe të ndërmarrin “hapa seriozë për të rritur presionin”.

Thirrja e Pompeos erdhi pasi Irani njoftoi se ka nisur të pasurojë uranium në centralin bërthamor Fordov.

Uraniumi i pasuruar mund të përdoret për të prodhuar lëndë djegëse për reaktorë, por edhe për armë bërthamore.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet ta imagjinojë se çfarë mund të bëjë Irani me armët bërthamore. Shtetet e Bashkuara nuk do ta lejojnë kurrë një gjë të tillë”, -tha Pompeo, duke e akuzuar Iranin për “dhunë dhe terror” si dhe për “minimin e sovranitetit të fqinjëve të tij”.

“Është koha tani që të gjitha vendet ta kundërshtojnë shantazhin bërthamor të regjimit dhe të ndërmarrin hapa seriozë për të rritur presionin. Provokimet e vazhdueshme bërthamore të Iranit kërkojnë veprime të tilla”,- tha Pompeo.

Me pasurimin e uraniumit në Fordov, Irani hoqi dorë edhe nga një pjesë e marrëveshjes bërthamore të arritur në vitin 2015 me fuqitë botërore.

Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga ky pakt, më shumë se një vit më parë.