Pompeo: SHBA ende nuk ka një qëndrim zyrtar për vdekjen e Khashoggit

Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha se do të duhen disa javë, derisa Shtetet e Bashkuara të kenë një qëndrim zyrtar në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi.

Në një intervistë për mediat amerikane, Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po mbledhin prova, për të pasur një pasqyrë të qartë të ngjarjes dhe për të hartuar një plan masash ndëshkuese.

“Do të duhen disa javë për të parë qëndrimin përfundimtar të Shteteve të Bashkuara, për vrasjen e gazetarit Khashoggi. Ne po grumbullojmë prova dhe fakte, për të dalë më pas me reagimin tonë”, deklaroi Pompeo.

Gazetari Jamal Khashoi u vra në konsullatën saudite në Stamboll në 2 tetor. Vrasja është pranuar edhe nga Arabia Saudite, e cila mohon përfshirjen e princit saudit.

Vrasja e gazetarit dhe dëshmitë kontradiktore të Arabisë Saudite kanë shkaktuar zemërim global.

Arabia Saudite mohon se familja e saj mbretërore është përfshirë dhe thotë se është “e vendosur të gjejë të gjitha faktet”.

Në fund të muajit të kaluar, Princi Mohammed tha se “krimi ishte i dhimbshëm për të gjithë sauditët”.

Lër një koment