Pompeo takim me Lavrov, paralajmëron Rusinë

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka takuar ditën e sotme ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në Shtëpinë e Bardhë.

Pompeo njoftoi se ka paralajmëruar Lavrov për masa ndëshkimore, nëse Rusia ndërhyn në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2020.

“Për çështjen e ndërhyrjes në punët tona të brendshme, unë isha i qartë: ajo është e papranueshme”, tha Pompeo në një konferencë për media me Lavrovin, në Uashington.

“Nëse Rusia ose një aktor i huaj ndërmerr hapa për të minuar proceset tona demokratike, ne do të ndërmarrim masa”, shtoi Pompeo.

Lavrov i hodhi poshtë gjetjet e inteligjencës amerikane se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA, në favor të zgjedhjes së Donald Trumpit president.

“E kam theksuar edhe një herë se të gjitha spekulimet në lidhje me ndërhyrjen tonë të pretenduar në proceset e brendshme në Shtetet e Bashkuara, janë të pabaza”, tha Lavrov.

Lavrov e përsëriti edhe një ofertë të Rusisë, që dy vendet të nënshkruajnë një marrëveshje për mosndërhyrje në punët e njëri-tjetrit.

Krizat në Ukrainë dhe Siri, kontrolli i armëve dhe çështje të tjera të lidhura me marrëdhëniet SHBA-Rusi ishin mes çështjeve të parashikuara që Pompeo dhe Lavrov do të bisedonin.