‘Populli të marrë armët…’/ Ish-deputetja mbështet qëndrimin e Metës

Ish-deputetja e PDIU Mesila Doda mbështet qëndrimin e Presidentit Meta, që nëse mazhoranca merr Gjykatën Kushtetuese, njerëzve u mbetet të marrin armët për ndryshim.

Sipas Dodës, nëse mazhoranca zapton me forcë Gjykatën Kushtetuese e vetmja rrugë mbetet armatosja e popullit kundër pushtetit, të cilën Meta e quajti një nga tre rrugët që sipas tij u ka mbetur shqiptarëve.

“Nëse Gjykata Kushtetuese zaptohet me force nga kjo maxhorance mbetet vetem rruga e pare qe sot tregoi Presidenti i Republikes, per te gjithe shqiptaret e vertete…

Te gjithe shqiptaret qe ende sot duan te jetojne ne kete vend duhet ti tregojne ketij te çmenduri kuptimin e fjales rezistence… me pushtuesin, shqiptaret dine si duhet te sillen”, ka thënë Mesila Doda.

Gjatë konferencës së jashtëzakonshme sot, Meta tha se nëse mazhoranca merr Kushtetuesen, njerëzve u ngelin tre rrugë: Të marrin armët për ndryshim, të bëhen skllevër të regjimit ose të ikin nga Shqipëria.

“Nëse këta marrin edhe Gjykatën Kushtetuese, njerëzve u ngelin tre rrugë. Ose njerëzit të marrin armët për ndryshim, që është e papranueshme, ose të bëhen skllevër të një regjimi njëpartiak ose të ikin të gjithë nga Shqipëria. Të treja të papranueshme, por ato dy të fundit tmerrësisht të papranueshme. Është detyra e Presidentit të mbrojë këtë proces kushtetueses”, ka thënë Ilir Meta.