Portugalia në luftë me flakët, evakuohen banorët e disa fshatrave

Mijëra zjarrfikës po luftojnë me zjarret masive që kanë përfshirë Portugalinë qendrore prej 4 ditësh. Ushtria e ndihmuar nga 328 automjete dhe 13 aeroplanë po vijojnë përpjekjet për shuarjen e flakëve që përfshinë vendin që prej të shtunës.

Temperaturat që shkojnë në 40 gradë Celsisus dhe erërat e fuqishme po e vështirësojnë betejën kundër vatrave të mëdha. Banorët e disa fshatrave janë evakuuar.

Forcat e ndërhyrjes së shpejtë kanë larguar të moshuarit nga banesat e tyre të cilat rrezikojnë të përfshihen nga flakët. Mediat portugeze shkruajnë se deri më tani janë 30 të lënduar, një prej të cilëve në gjendje kritike për jetën.

E mbuluar me pemë të larta dhe pisha, Portugalia qendrore goditet shpesh nga flakët në sezonin e verës, ndërsa terreni kodrinor e vështirëson ndërhyrjen e shpejtë të zjarrfikësve.

Deri më tani 8,500 hektarë janë shkrumbuar, shifër kjo më e ulët në krahasim me zjarrin e 2017-s, që shkaktoi 64 viktima dhe shkrumboi 55 mijë hektarë tokë brenda disa ditësh.