Prag Skocia/Krasniqi dhe Bajramaj optimiste: Luajmë për fitore!

Kombëtarja shqiptare e femrave, e drejtuar nga trajneri Armir Grima, është duke u stërvitur në qytetin e Elbasanit në prag të ndeshjes kualifikuese kundër Skocisë, e cila do të zhvillohet më datë 8 nëntor, në “Elbasan Arena”, në orën 18:10.

Në prag të kësaj ndeshjeje, për të folur për përgatitjet, gjendjen e skuadrës dhe kundërshtarin që kanë përballë, kanë dalë sot në konferencë Qëndresa Krasniqi dhe Zylfije Bajramaj. Krasniqi është shfaqur optimiste përpara ndeshjes me Skocinë.

“Kemi ardhur për fitore, shpresoj të japim maksimumin për këtë objektiv. Më e rëndësishme është që të paraqitemi mirë si ekip dhe uroj që në fund rezultati të jetë i mirë. Arma më e fortë është se jemi të gjithë të bashkuara. Jemi një grup shumë i mirë dhe besoj se kjo do na ndihmojë shumë që të paraqitemi mirë në fushë. Shpresoj të ketë një numër të madh të tifozëve, pasi na ndihmon shumë të luajmë mirë, na motivojnë”, u shpreh Krasniqi për mediet e pranishme në konferencë.”

Zylfije Bajramaj u shpreh: “Harmonia është e mirë dhe besoj se do të kemi rezultat të mirë këtë ndeshje. Gjithmonë jemi të bashkuara. Normal që ne kemi ardhur për fitore dhe duam tre pikët, por edhe me një barazim do të ishim të kënaqura.  Pritshmëritë për kombëtaren e femrave? Besoj se në një të ardhme do të kemi një emër dhe do të hyjmë në elitën ndërkombëtare. Besoj se do të bëjmë emër si ekipet e mëdha”.