fbpx

Prej një muaji i shtruar në spital me COVID, ish-deputeti rrëqeth me rrëfimin dhe ka një apel

fatmir-toci-780x405.jpg

Ish-deputet i Partisë Socialiste, intelektuali i njohur Fatmir Toçi, i cili prej një muaji ndodhet i shtruar në Spitalin Covid-2 “Shefqet Ndroqi” ka bërë një postim shumë prekës sot në rrjete sociale.  Ai ka treguar rastin personal të luftës me koronavirusin.

Ai ka një apel për të gjithë në lidhje me mospërfilljen e udhëzimeve dhe protokolleve të rekomanduara nga autoritetet shëndetësore nga ana e qytetarëve

Postimi i plotë

NDALONI, O NJERËZ, SHIHNI SE ÇFARË PO BËHET!

Për gati një muaj po qëndroj i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, nën kujdesin e mjekëve, për rikuperimin e mushkërive nga pasojat që la pas virusi Covid-19 që ka përfshirë botën mbarë.

Më besoni, kurrë në jetën time nuk e kam ndjerë vehten më rëndë e më të rrezikuar për jetën se sa në këtë rast dhe kjo më ka bërë të mendoj se sa e brishtë dhe e cenueshme është jeta mbi tokë.

Por, shoh nëpërmjet mediave, internetit, rrjeteve sociale etj. masivisht një shpërfillje të papërgjegjshme e të frikshme të masave parandaluese, të domosdoshme për t’u mbrojtur nga kjo flamë vdekjeprurëse: njerëz pa maska në mjedise të mbyllura e publike, festa e grumbullime masive duke mos respektuar distancat e rekomanduara, madje prononcime e deklarata të njerëzve të njohur e të panjohur nëpër ekrane e rrjete sociale për teprim të masave apo, më keq akoma, për teori konspirative të shpikura për qëllime e interesa të caktuara (!).

Po e përsëris për së dyti thirrjen time “më besoni” nga Spitali “Shefqet Ndroqi”, ku janë të shtruar mbi 200 pacientë të prekur nga virusi vdekjeprurës dhe që ngjason si spital lufte pas një beteje të përgjakshme, ku punon me përkushtim e vetmohim një personel që ka vënë në rrezik jetën e vet dhe të familjeve për të shpëtuar jetë njerëzish, ku nga një sallë e vogël reanimacioni, e planifikuar për 8 vetë dhe e përshtatur për 12, diktuar nga kushtet e emergjencës sot, dalin pa jetë 1-2 pacientë në 24 orë, duke sjellë dhimbje e trishtim për familjet e tyre.

Jetë të prera në mes papritur e pabesisht, dhe pakujdesia e papërgjegjshmëria jonë personale dhe kolektive janë faktori kryesor i këtyre humbjeve në jetë njerëzish.

Nuk do t’ia uroja askujt të provojë këtë që po kaloj unë në këtë spital, ku kurrizi dhe dysheku janë bërë një që prej një muaji, për ta besuar se sa e rëndë dhe serioze është situata në këtë luftë, absurde në dukje, me një armik të panjohur sa duhet e që ngjall vdekje kudo që prek; por desha t’ju bëj një thirrje si mik, si vëlla, si një qytetar i këtij vendi, si një njeri që prej më shumë se 4 javësh lufton me vdekjen në emër të jetës: mbajeni atë dreq maske dhe bëni kujdes, mbroni jetën tuaj, të familjes tuaj dhe të të tjerëve! Jeta është e shtrenjtë, duhet mbrojtur e jetuar!

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303