Presidenti francez i drejtohet popullit me një letër

macron-1.jpg

Emmanuel Macron do të nisë ditën e nesërme një debat kombëtar dymujor në Francë.

Në një letër të hapur drejtuar vendit, presidenti francez shkruan se shpreson që konsultimet e gjera publike do të zbusin zemërimin publik, që po nxjerr nëpër rrugët e vendit me mijëra “jelekverdhë”. Në letrën e tij, Macron thotë se është i hapur ndaj ideve dhe sugjerimeve, por këmbëngul se qeveria nuk do të bëjë hapa prapa sa u takon reformave të vjetra dhe të reja.

“Asnjë pyetje nuk do të përjashtohet, – shkruan Macron. – Ne nuk do të biem dakord për çdo gjë, kjo është normale, kjo është demokraci. Por, të paktën, ne do të tregojmë se jemi një popull që nuk kemi frikë të flasim, të shkëmbejmë ide dhe të debatojmë. E ndoshta edhe do të zbulojmë se mund të biem dakord, pavarësisht bindjeve tona të ndryshme, më shpesh nga sa mendojmë”.

Macron është tronditur nga ashpërsia e thuajse dy muajve protesta të “jelekverdhëve”. Të shtunën, një fundjavë e 9 protestash u mbajtën në të gjithë Francën.

Letra që u publikua nga mediet franceze të hënën shënon edhe fillimin e konsultimeve kombëtare, në të cilat qytetarët janë ftuar të japin këndvështrimet e tyre mbi 4 tema qendrore: taksat, organizimi i shtetit dhe administratës publike, tranzicioni ekologjik dhe shtetësia e demokracia.

Macron pyet se çfarë taksash duhen reduktuar, çfarë reduktimesh në shpenzime mund të jenë prioritare. A ka shumë administratë? Si njerëzit mund të kenë më shumë zë në drejtimin e vendit?

Presidenti thotë se, propozimet e mbledhura në debat do të ravijëzojnë një kontratë të re me vendin, do të ndikojnë në politikë dhe do të përcaktojnë qëndrimin e Francës në çështjet kombëtare, europiane dhe botërore.

Presidenti i Francës ka propozuar që gjatë debatit, i cili do të zgjasë deri më 15 mars, të nisen zgjidhjet e 35 çështjeve në kuadër të katër temave – e këto janë fuqia blerëse, tatimet, demokracia dhe ambienti. Ai ka premtuar këtë debat në dhjetor në mënyrë të përgjigjet në pakënaqësitë e qytetarëve  të cilët po protestojnë që prej 17 nëntorit.

Debati do të fillojë zyrtarisht të martën në Normandi./real-news.tv/

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303