Presidenti i Sudanit shpall gjendjen e jashtëzakonshme, shpërbën qeverinë

I gjendur përballë protestave më të mëdha popullore të vendit që kur erdhi në pushtet 30 vjet më parë, presidenti i Sudanit Omar al-Bashir, deklaroi gjendjen e jashtëzakonshme dhe i kërkoi parlamentit të shtyjë ndryshimet kushtetuese që do të lejonin atë të kërkonte një mandat tjetër në zgjedhjet presidenciale në 2020.

Në një fjalim televiziv, Bashir tha se do të shpërndajë qeverinë qendrore, si dhe qeveritë lokale.

“Masat e fuqishme ekonomike duhet të merren në një qeveri të re”, tha Bashir, duke shtuar se ai do t’ja caktojë këtë detyrë një ekipi të kualifikuar.

Ai gjithashtu iu drejtua opozitës. “I bëj një ftesë të sinqertë forcave të opozitës, të cilat janë ende jashtë rrugës së pajtimit kombëtar, të ecim përpara dhe të angazhohemi në dialogun lidhur me çështjet aktuale të vendit tonë”.

Në një dekret të mëvonshëm, Bashir ngriti një administratë që do të kujdeset për qeverinë në këtë periudhë tranzitore që përbëhej nga një zyrtar i lartë nga çdo ministri, por nuk i hoqi ministrat e mbrojtjes, atë të jashtëm dhe të drejtësisë.

Demonstratat anti-qeveritare filluan më 19 dhjetor, të shkaktuara nga rritja e çmimeve dhe varfëria në vend, por shpejt u zhvilluan në protesta kundër sundimit të Bashirit./real-news.tv/