Presidenti i Ukrainës: Nuk pati shantazh në telefonatën me Trump

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy tha të enjten se nuk kishte asnjë “shantazh” në telefonatën e bërë në muajin korrik me presidentin amerikan, Donald Trump, i cili është në qendër të një hetimi për procedurën e shkarkimit, ndërmarrë nga Dhoma e Përfaqësuesve e drejtuar nga demokratët.

Zelenskiy u tha gazetarëve se nuk ishte në dijeni në kohën e telefonatës se Trump kishte ndërmarrë hapa për të bllokuar dhënien e qindra milionëve dollarë në ndihmë ushtarake për Ukrainën.

Presidenti Trump thotë se e mori vendimin për të nxitur Ukrainën që të luftonte korrupsionin. Demokratët akuzojnë udhëheqësin amerikan se ngriu ndihmën për t’i bërë presion administratës së  Zelenskiy për të hetuar kandidatin demokrat presidencial, Joe Biden dhe djalin e tij, Hunter.

Zelenskiy tha të enjten se synimi i tij gjatë telefonatës ishte të siguronte një takim me Trump dhe ta bindte që të ndryshonte retorikën e tij publike për Ukrainën si vend i korruptuar.

Sipas ankesës së një informatori dhe transkriptit të telefonatës të zbardhur nga Shtëpia e Bardhë, Trump e nxiti Zeklenskiyn të hapte një hetim për Biden.

Trump ka mohuar të ketë bërë ndonjë gabim dhe e ka përshkruar telefonatën si “të përkryer”.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se refuzon të marrë pjesë në hetimin e drejtuar nga demokratët për të përcaktuar nëse duhet të hapet një procedure për shkarkimin e Presidentit Trump.

Shtëpia e Bardhë e quan hetimin për procedurën e shkarkimit “jokushtetues”.