Presidenti iranian shpall fitore ndaj protestave kundër qeverisë

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, ka shpallur fitore ndaj protestave për të cilat ka fajësuar armiqtë e huaj, transmeton media shtetërore.

Protestat në Iran kanë nisur për shkak të rritjes së çmimit të naftës, dhe për pasojë kanë vdekur shumë persona.

Amnesty International ka publikuar një raport ditën e sotme duke deklaruar se të paktën 100 persona kanë humbur jetën në protesta.

“Populli iranian ka shënuar sërish sukses në një test historik dhe ka treguar se nuk do të lejojë armiqtë të përfitojnë nga situata, edhe pse mund të kenë ankesa për menaxhimin e shtetit”, ka thënë Rohani.

Irani ka kufizuar qasjen në Internet, duke e bërë gati të pamundshme për protestuesit që të postojnë video të protestave në rrjetet sociale.

Sipas zyrtarëve, rreth 1,000 protestues janë arrestuar.

Zemërimi në Iran është rritur për shkak të rënies së vlerës së valutës dhe rritjes së çmimit të produkteve bazike për jetesë, që kur Shtetet e Bashkuara janë tërhequr një vit më parë nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Pas largimit nga kjo marrëveshje, SHBA-ja ka kthyer të gjitha sanksionet ndaj Iranit.

Qeveria ka thënë se rritja e çmimeve do të ndikojë në mbledhjen e 2.55 miliardë dollarëve në vit, të cilat do të përdoren për të ndihmuar 18 milionë familje që kanë të ardhura të ulëta./real-news.tv/