Presidenti kinez do të takojë Kim Jong-Un, programi bërthamor në fokus

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, arriti në Phenian për të takuar udhëheqësin koreano-verior, Kim Jong Un.

Është kjo vizita e parë e një presidenti kinez në Korenë e Veriut qysh në vitin 2005.

Dy zyrtarët, që tashmë janë takuar katër herë, pritet të diskutojnë për programin bërthamor të Koresë së Veriut, si dhe për çështje ekonomike.

Kina është jashtëzakonisht e rëndësishme për Korenë e Veriut, pasi është partneri i saj kryesor tregtar.

Vizita dyditëshe e Xi vjen në kohën kur bisedimet e Shteteve të Bashkuara me Korenë e Veriut, rreth programit të saj bërthamor, kanë ngecur.

Në muajin shkurt, një samit në Vietnam mes Kim dhe presidentit amerikan, Donald Trump, ka dështuar për shkak të dallimeve midis palëve.

Xi pritet të takohet me Trump në samitin e G20-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, që do të mbahet në Japoni, nisur nga 28 qershori./real-news.tv/