Presidenti Meta në Romë: Shqipëria, faktor stabiliteti

Në kuadër të 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, zhvilloi një vizitë si i “Ftuar i Nderi” në Kolegjin e Mbrojtjes së NATO-s, në Romë.

Dekani i Kolegjit të Mbrojtjes, Dr. Stephen Mariano, pasi i uroi mirëseardhjen Presidentit Meta, i bëri një prezantim të shkurtër rreth Kolegjit, të themeluar në vitin 1951, nga ish-Komandanti i parë, dhe “babai i NATO-s”, General Dwight D. Eisenhower.

Gjatë fjalës së tij në auditorin e Kolegjit, Presidenti Meta nënvizoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO përbën një ngjarje me rëndësi historike jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor e njëkohësisht është një përgjegjësi e madhe për t’i shërbyer paqes, stabilitetit dhe sigurisë së rajonit tonë, në Mesdhe dhe më tej.