Presidenti Meta priti një përfaqësi të “Shoqatës Nikaj-Mërtur”

Pas vizitës që kreu pak ditë më parë në Alpet e Shqipërisë duke i promovuar dhe ftuar të gjithë shqiptarët ta vizitojnë atë zonë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti një përfaqësi të “Shoqatës Nikaj-Mërtur” të drejtuar nga Dr. Mhill Gecaj dhe deputeti i Tropojës, Isuf Çela.

Presidenti Meta vlerësoi iniciativën e shkëlqyer të kësaj shoqate për hapjen e rrugës për Curraj të Epërm, bazuar në kontributin dhe donacionet e anëtarëve të kësaj shoqate.

Po kështu Presidenti vlerësoi frymën e shkëlqyer të bashkëpunimit të komunitetit të kësaj zone me Bashkinë e Tropojës dhe deputetin Çela për realizimin me sukses të këtij projekti.

“Ju e nisët vetë rrugën e ndryshimit në Curraj të Epërm e Nikaj-Mërtur, – tha Presidenti Meta, “tani është koha që ta vazhdojmë së bashku, pasi resurset për zhvillimin e turizmit në atë zonë janë të jashtëzakonshme”.

Përfaqësuesit e Shoqatës Nikaj e Mërtur shprehën angazhimin e tyre që mirëmbajtja e restaurimi i shpejtë i banesave të tyre nuk do të cenojë as traditën vendase dhe as peizazhin e mrekullueshëm natyror.

Lër një koment