fbpx

Presidenti Meta shtron Iftar, mesazh edhe politikës

10a35d77-8e3f-4652-8367-e107da7d2e9f.jpg

Presidenti i Republikës, Ilir Meta shtroi dje një darkë Iftari me rastin e Muajit të shenjtë të Ramazanit. Të pranishëm ishin Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Bujar Spahiu, udhëheqës fetarë dhe shpirtërore të bashkësive shqiptare, ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë, teologë, përfaqësues nga komunitetet në nevojë, mosha e tretë, paraplegjikë dhe personalitete të ndryshme.

Pasi u uroi mirëseardhjen, duke iu drejtuar të pranishmëve, Presidenti i Republikës u shpreh se muaji i Ramazanit është një mundësi e madhe për të shpalosur ndjenjën e vëllazërisë, të dashurisë për njëri-tjetrin, dhe për atdheun tonë. “Vendi ynë është i bekuar nga Zoti me resurse, natyrë dhe klimë të mrekullueshme, por mbi të gjitha me një popull të devotshëm, i cili me një besim të thellë në zemër nuk e çrrënjosi atë as edhe në ditët më të errëta të diktaturës së këtij vendi.  Për Zot dhe për Flamur shqiptarët e të gjitha besimeve, luftuan krah njëri-tjetrit dhe u vetëmohuan për Pavarësinë dhe Çlirimin”.

Presidenti pati edhe një mesazh për politikën. “Toleranca dhe harmonia janë instrumenti më i mirë me të cilin ne përballemi dhe sfidojmë rreziqet dhe kërcënimet e kohëve moderne, të cilat falë globalizmit kanë bërë që askush të mos jetë më imun. Ky atribut i vyer i popullit tonë duhet të manifestohet në çdo pjesë të jetës: në radhë të parë në politikë, por kudo në kulturë, në familje, etj. Në këtë muaj të shenjtë nuk ka vend për zemrat krenare, aq më tepër për arrogancën dhe kokëfortësinë, por për zemërgjerësi, përkushtim, përulësi dhe dashuri. Gjatë këtij muaji edhe politika duhet të jetë reflektuese dhe të ketë më shumë besim, pa harruar se nuk është vetëm besimi ai që i bën njerëzit të jenë më të mirë, por mbi të gjitha janë veprat e mira dhe konkrete”, tha ndër të tjera Presidenti. /real-news.tv/

 

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303