Presidenti Trump do të vizitojë Britaninë e Madhe

Pallati mbretëror Buckingham Palace ka lajmëruar se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të zhvillojë një vizitë tre ditore në Britaninë e Madhe në fillim të qershorit, nga data 3-5.

Presidenti Trump dhe zonja e parë Melania do të priten nga Mbretëresha Elizabeth.

Presidenti amerikan gjithashtu do të ketë bisedime me kryeministren, Theresa May.

Kryeministrja May tha se vizita do të jetë “mundësi për të fuqizuar raportet tashmë të ngushta mes dy vendeve”.

Më herët gjatë këtij muaji,presidenti Trump tha se mirëpret një marrëveshje të gjerë tregtare ndërmjet Uashingtonit dhe Londrës, pas daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Trump ishte për vizitë në Britani edhe në vitin 2018. Gjatë kësaj vizite, ai takoi kryeministren britanike, Theresa May, Mbretëreshën Elizabeta II.

Kjo vizitë u shënua me protesta, ku vetëm në Londër, mijëra njerëz dolën në rrugë për të shprehur shqetësimet e tyre me politikat e presidentit Trump./real-news.tv/