fbpx

Presidentja e KE-së e shqetësuar për Brexit

ursula-von.jpg

Mbretëria e Bashkuar pritet të largohet nga BE-ja në fund të janarit 2020, dhe më pas të nisë bisedimet për raportet afatgjata me bllokun evropian.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka lënë afat deri më 31 dhjetor të vitit tjetër për marrëveshjen, por presidentja e Komisionit Evropian ka deklaruar se periudha e negociatave ndoshta nuk mjafton.

“Jam shumë e shqetësuar pasi na është lënë shumë pak kohë. Mua më duket se të dyja palët duhet ta mendojnë seriozisht a janë të realizueshme negociatat për një kohë kaq të shkurtër. Do të ishte më e arsyeshme të bëjë vlerësimin në mesin e vitit tjetër dhe të gjejmë mirëkuptim për zgjatjen e afatit,” deklaroi Ursula Von Der Leyen për një gazetë franceze.

Propozimi i saj bie ndesh me planin e kryeministrit Boris Johnson, i cili pasi fitoi zgjedhjet, i parashtroi parlamentit një projektligj për ta konsideruar të paligjshme zgjatjen e negociatave përtej vitit 2020.

Plani i tij u mbështet nga deputetët dhe do të marrë formën e ligjit me ndjekjen e procedurave.

Presidentja e KE-së shtoi për prestigjiozen gjermane “Der Spigel”, se largimi i Britanisë nga BE-ja megjithatë nuk e rrezikon bllokun në kuptimin e sigurisë dhe të diplomacisë.

Pikat e tjera të bashkëpunimit dypalësh, nga ekonomia te politikat e jashtme dhe lëvizja e lirë e qytetarëve do të trajtohen nga fillimi i janarit në tryezat e diplomatëve evropianë, duke i paraprirë realizimit të Brexit në fund të muajit.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303