fbpx

Presion diplomatik para negociatave, Franca kërkon shkurtimin e afateve për azilkërkuesit

macron.jpg

Ndaj Shqipërisë dhe disa vendeve të tjera është ushtruar presion diplomatik nga Franca për të shpejtuar procesin e deportimit të shtetasve që u refuzohet azili. Franca është vendi i BE-së ku shqiptarët kanë paraqitur numrin më të lartë të kërkesave për azil. Një çështje e tillë rivjen në vëmendje dy javë para vendimit për negociatat pranimit të Shqipërisë me BE-në.

Franca ka ushtruar presion diplomatik ndaj Shqipërisë dhe disa vendeve të tjera për të përshpejtuar proceduarat e deportimit të shtetasve të cilëve u refuzohet azili. Fakti zbulohet nga një investigim i televizionit francez France 24 që thotë se deportimi është një proces i gjatë dhe i kushtueshëm.

Shpesh herë vështirësia lidhet me refuzimin e shtetasve për të bashkëpunuar me autoritetet apo ngadalësia e personelit konsullor të vendeve të origjinës për të plotësuar dokumentet e nevojshme për të deportimin e detyruar.

Sipas televizionit France 24, kjo çështje është kthyer në një përparësi për presidentin Emmanuel Macron, i cili nga ana tjetër i ka kërcënuar disa vende me kundërmasa në rast se nuk bashkëpunojnë.

“Unë kam emëruar një ambasador të posaçëm përgjegjës për imigracionin dhe negociatat me shtete të ndryshme dhe u kam thënë të gjitha vendeve: Unë nuk do të jap më viza,” citohet Macron-i.

Ora News mësoi se ngurimi i Shqipërisë për të bashkëpunuar më tepër se me lëshimin e lejeve të kalimit, lidhet shpenzimet që duhen për deportimin. Një pjesë e shpenzimeve duhet të mbulohet nga vendet e origjinës së personave që deportohen. Kërcënimi duket se funksionoi dhe autoritetet e vendeve të ndryshme e kanë rritur numrin e lejeve të kalimit për qytetarët që të deportohen. Lëshimi i këtyre lejeve u rrit nga 36 për qind në vitin 2017 në 58 për qind në 2019-n.

Franca është vendi i BE-së ku shqiptarët kanë paraqitur numrin më të lartë të kërkesave për azil. Sipas Agjencisë Europiane për Mbështetjen e Azilit, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2019, 1835 shtetas shqiptarë kërkuan azil në Francë.

Në përgjithësi Franca është vendi që merr më shumë kërkesa për azil se çdo anëtar tjetër i Bashkimit Europian. Vitin e kaluar autoritet morën gjithsej 133 mijë kërkesa për azil, 7.3 për qind më shumë nga një vit më parë. Në rritje janë gjithashtu deportimet e detyruara të të huajve të cilëve u është refuzuar leja e qëndrimit.

Kjo çështje risillet në vëmendje vetëm dy javë nga vendimi i Këshillit Europian për bisedimet e pranimit. Tetorin e kaluar, kur ky vendim u bllokua me veto nga Franca, një prej çështjeve të cilave iu referua presidenti francez Macron ishte edhe numri i lartë i kërkesave për azil nga Shqipëria./Ora News/

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303