Prezantohet modeli i kartës së studentit

Ditën e sotme, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit Besa Shahini kanë prezantuar modelin e kartës së studentit.

Veliaj ka thënë se bashkia e kreu edhe këtë detyrë në kohë rekord. Së bashku me Shahinin, Veliaj prezantoi dy modele të kartës së studentit, ku theksoi se me shumë mundësi të gjithë do pajisen brenda muajit maj.

“Sot prezantojmë dy modelet e para të kartës dhe do donim shumë që Brenda muajit maj, secili prej jush, të kishte Kartën e Studentit. Nëse shkoni në një galeri apo kinema, ulja përfitohet menjëherë duke skanuar kartën. Nëse s’doni ta mbani me vete kartën, kemi edhe një version elektronik të saj, nëpërmjet telefonit”, tha Veliaj.

Nga ana tjetër, Shahini tha se në mënyrë që karta të realizohej do të duhej të kishte një bashkëpunim më të mirë mes universiteteve dhe institucioneve, për të pasur mundësi për të bërë marrëveshjet

“Karta nuk përfshin vetëm uljet që merren nga kompanitë, por edhe shërbimet që përfitohen. Deri tani universitetet nuk kanë qenë shumë aktive në pjesën e tyre. Kemi marrë përsipër që Ministria bashkë me Bashkinë e Tiranës të realizojë kartën e studentit”, theksoi Shahini./real-news.tv