Projekti i Stadiumit Kombëtar të Kosovës

Screenshot_2-4.png

Në muzeun e Kosovës është prezantuar projekti i Stadiumit Kombëtar, i cili do të ndërtohet në afërsi të Drenasit. Të pranishëm në ceremoninë e prezantimit të këtij projekti ishin kryeparlamentari, Kadri Veseli, ministri i sportit, Kujtim Gashi, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, futbollisti i Kombëtares, Milot Rashica, familja Vokrri dhe shumë personalitete tjera nga institucionet dhe jeta sportive.

Ministri i sportit, Kujtim Gashi, vuri në dukje se ky është një projekt kapital dhe më i madhi sa i përket investimeve në vendin tonë, derisa rruga deri te kjo ditë sipas tij nuk ka qenë e lehtë. “Besoj se tani kemi arritur deri te një projekt i cili i plotëson kushtet dhe nevojat e sportistëve tanë. E falënderoj veçanërisht kryeparlamentarin Kadri Veseli, i cili ka qenë mbështetës i fuqishëm i këtij projekti. Falë përkushtimit të tij ne sot po e prezantojmë këtë projekt. Ky stadium do të ndërtohet në mes të Kosovës, afër aeroportit dhe afër autostradës. Qyteti më i largët i vendit nga ky stadium do të jetë më pak se një orë, prandaj kjo nënkupton se edhe lokacioni i zgjedhur ka qenë i duhuri. Ne si institucione do ta jetësojmë këtë gjigant sportiv. Jam i bindur se për disa muaj veçse do ta fillojmë këtë projekt”, ka thënë ministri Gashi.

Ndërkaq, kryeparlamentari Kadri Veseli gjatë fjalës së tij theksoi se ka pasur shumë njerëz që kanë pasur mëdyshje nëse do të fillojë ndërtimi i këtij stadiumi, por se tani projekti është i gatshëm. “Republika e Kosovës duhet ta ketë stadiumin më të bukur në Ballkan gjithsesi dhe ky duhet të ndërtohet dhe të fillojë këtë vit. Këta djem janë duke bërë diçka të jashtëzakonshme. Këta djem po tregojnë se kur  duam dhe jemi të vendosur mund të arrijmë gjithçka. Kështu mund ta fitojmë betejën edhe për shtetin tonë dhe luftën kundër të keqes. Këta djem janë shembulli më i mirë. Sikurse Majlinda Kelmendi edhe djemtë e kombëtares po na bëjnë krenar. Urime stadiumi të gjithëve”, është shprehur Veseli.

E presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se me këtë projekt po i vihet kupola infrastrukturës së futbollit në Kosovës. “Ministria e sportit dhe qeveria prej fillimit të punës së tyre kanë punuar shumë për futbollin, duke filluar me renovimin e stadiumeve, pastaj me ndërtimin e 12 fushave me bari sintetik dhe tani me Stadiumin Kombëtar, i cili do të jetë kupola e infrastrukturës në vendin tonë. Ndihem shumë mirë që ky projekt po jetësohet, jo vetëm për futbollistët tanë, por edhe për tifozët pasi kërkesat janë shumë të mëdha. Ne aktualisht e kemi stadiumin ‘Fadil Vokrri’ me 12 mijë ulëse derisa kërkesa online për bileta për ndeshjet e Kombëtares së Kosovës është 100 mijë. Pra kjo është dëshmi se njerëzit në Kosovë dhe bashkatdhetarët tanë e duan futbollin. Falënderimet për këtë projekt i takojnë kryeparalemtarit Veseli që na ka mbështetur fuqishëm në çdo periudhë. Në raste të këtilla mbështetja e institucioneve është e domosdoshme. Një falënderim të veçantë edhe kryetarit të komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, si dhe për tifozët Dardanët. Urime dhe e gëzofshim këtë stadium”, ka thënë presidenti Ademi.

Me një fjalë rasti të pranishmit i ka përshëndetur edhe ylli i kombëtares, Milot Rashica: “E kam pak më vështirë këtu se në fushë, por faleminderit të gjithëve që na keni përkrah prej fillimit. Ne si futbollistë nuk kemi dëshirë të flasim shumë, thjeshtë do të vazhdojmë të flasim në fushën e lojës dhe do t’iu bëjmë krenar si deri tash. Stadiumi Kombëtar është shumë i rëndësishëm dhe ky popull e meriton ta ketë një stadium të tillë“, ka thënë Rashica.

Më pas ka qenë arkitekti i këtij projekti, turku Murat Tabllandioglu që e ka bërë prezantimin e projektit të Stadiumit Kombëtar, i cili është planifikuar t’i ketë 30 mijë ulëse dhe që parashikohet të fillojë ndërtimi i tij këtë vit.

Sipas projektit të prezantuar, Stadiumi Kombëtar do të ketë restorante, hotele, fusha ndihmëse, parqe e pishina, ndërsa në ndeshjet e Kosovës, stadiumi do të ndriçohet nga ngjyra të kaltra. Futbollistët përmes një videoje kanë falënderuar dhe kanë premtuar që do ta japin maksimumin e tyre për t’i gëzuar tifozët edhe në këtë stadium, ashtu siç kanë bërë deri më tani në “Fadil Vokrri”.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303