“Prindërit shqiptarë trafikojnë fëmijët e tyre, i fusin në bandat e krimit”

Prestigjozja britanike “The Telegraph” ka kryer një investigim, ku ka zbuluar se prindërit shqiptarë po trafikojnë djemtë e tyre adoleshentë në Mbretërinë e Bashkuar me qëllim përfshirjen në bandat e krimit të organizuar që kontrollojnë tregjet më të mëdha të kokainë në vend. Gazeta britanike thekson se po rritet ndjeshëm numri i të rinjve shqiptarë që po trafikohen në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar, të cilëve iu premtohet se do të fitojnë mijëra paund nga shitja e lëndëve narkotike.

Procesverbali i gjykatave tregon se të rinjtë shqiptarë, që kryesisht hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar të fshehur nëpër kamionë, janë ndjekur penalisht thuajse në të gjithë qytetet në vend.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), Shqipëria është burimi më i madh i trafikimit të njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar me 947 raste të referuara në 2018-ëna, një rritje me më shumë se 50 përqind krahasuar me vitin 2015.

Specialisti ndërkombëtar i zbatimit të ligjit, Steve Harvey, ka paraqitur provat e tij në një hetim të Zyrës së Brendshme në lidhje me këtë fenomen shqetësues.

Ai tha:

Shumica e djemve dhe të rinjve shqiptarë trafikohen me miratimin e prindërve të tyre, nisur nga premtimet për shpërblime të majme financiare nga trafikantët. Familjarët janë kontaktuar nga trafikantët dhe janë angazhuar se si do të përfitojnë financiarisht nga marrëveshja. Për më tepër, familjet janë shndërruar në “trafikantë”, ndërsa fëmijët shihen dhe përdoren si burime financiare. Në disa nga rastet, anëtarët e familjes ishin në mënyrë të drejtpërdrejt përgjegjës për rekrutimin dhe shfrytëzimin e të rinjve.”

Media e njohur britanike në artikullin e saj përmend edhe rastin e grupit “Hellbanianz”, e përbërë nga dy djem shqiptarë që jetojnë në jug të Londrës, të cilin e konsideron si “bandë rruge” që promovojnë stilin e tyre të jetës tek adoleshentët në vendlindje përmes mediave sociale.

Zyra e Brendshme në Mbretërinë e Bashkuar theksoi se trafikantët e dinë që prindërit shqiptarë kanë dëshirë që fëmijët e tyre t’i dërgojnë sa më të rinj jashtë vendit, dhe përfitojnë nga kjo situatë, duke i përfshirë ata në trafikun e drogës përmes premtimeve për shuma të majme që bëjnë.