Problemi i portaleve nuk është vetëm shpifja, por edhe burimi i tyre financiar

Kryeministri Edi Rama e ka marrë shumë seriozisht paketën antishpifje. Kreu i qeverisë u shpreh në datën 10 tetor se “urbanizimi i xhunglës “online” nis nga legalizimi i portaleve”. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) publikoi 5 ditë më vonë një listë me 44 portale, të cilave u la 72 orë afat që të regjistrohen në QKB, në mënyrë që të bëhej kontrolli i mediave “online”.

Por, lajmi se Greqia ka financuar fuqishëm portalet shqiptare tregon se përveçse shpifjes, shteti duhet të kontrollojë edhe burimin e parave të portaleve që funksionojnë në Shqipëri për të promovuar politikat greke në vend. Gjithashtu, ka plot portale që promovojnë ekstremizmin fetar, duke nxitur përçarjen mes shqiptarëve dhe janë portale të tilla që duhen mbyllur.

Ka edhe portale që punojnë për interesat greke apo turke, që Shpëtim Idrizi i pati quajtur “tradhtarët e Shqipërisë”, duke paralajmëruar shqiptarët për “fondet e pista” të Greqisë kundër çështjes çame.

Edhe pse Kryeministria e Greqisë ka reaguar në lidhje me lajmin e financimit të portaleve shqiptare, duke përgënjeshtruar zyrtarisht se nuk janë shpërndarë fonde në mediat ballkanike, shteti shqiptar duhet të bëjë detyrën e tij, duke kontrolluar dhe mbyllur portalet që punojnë kundër Shqipërisë, ngjallin ekstremizëm ose krijojnë destabilitet.

Lër një koment