‘Proces farsë’/ Përfundon rinumërimi i 11 kutive, KQZ shpall rezultatin

Ka rezultuar një proces farsë ai i rinumërimit të 11 kutive të votimit të Bashkisë së Lezhës në KQZ, ku u konstatua vetëm një votë e numëruar gabim.

Vota i përkiste Eduard Ndocajt, ndërkohë që i ishte kaluar kandidatit fitues nga PS Pjerin Ndreu.

Hapja e kutive u vendos gjatë mbledhjes së djeshme, pas kërkesës së Partia Konservatore Albania, e cila përfaqësohej në Lezhë nga Ndocaj.

Kujtojmë se dy ditë më parë, me një kërkesë të depozituar në KQZ, edhe Partia Demokratike kërkoi që të kishte materialet zgjedhore, kërkesë kjo që iu mohua në një pikë, atë të pjesëmarrjes në votime.

Materialet zgjedhore, sipas KQZ, do të dorëzohen më vonë pranë Arkivit të Shtetit, dhe me pas i takon këtij institucioni të vendosë nëse do t’jua vendosë në dispozicion palëve të interesuara.

Kështu PD nuk do të mundë të verifikojë nëse rezultojnë votues edhe persona që në 30 qershor nuk kanë qenë tek qendrat e votimit.

Nga ana tjetër, KQZ po bën gati për Partinë Demokratike të gjitha materialet e tjera të kërkuara që janë jashtë kutive: si tabelat e rezultateve, apo pamjet filmike të grupeve të numërimit.

KQZ ka filluar të përgatisë materialet e kërkuara dhe thotë se procesi kërkon kohë, pasi janë rreth 20 mijë faqe dokumente që duhen fotokopjuar.