Profil i efektives që ju copëtuan gishtat

Ina Nuka është efektivja e forcave “Shigjeta” që mbeti e lënduar rëndë gjatë protestës së sotme mbajtur para Parlamentit të Shqipërisë. Ajo është vetëm 24 vjeç megjithatë rrugëtimi i saj në polici ka nisur me spikatje të veçanta profesionale.

Ina Nuka ju nënshtrua një ndërhyrjeje në Spitalin e Traumës, dhe humbi dy gishta të dorës, pasi një kapsollë e  hedhur në protestë, i shpërtheu në duar. Efektivja e re, e cila prej gjashtë muajsh ishte pjesë e forcave “Shigjeta” në Policinë e Tiranës, u filmua nga kamerat teksa bërtiste me dënesë nga dhimbjet e shkaktuara nga shpërthimi në duar i kapsollës. Protestuesit, që ishin banorë të zonës së Astirit që kundërshtojnë projektin e Unazës së Madhe pa dëmshpërblim të plotë për shtëpitë e shembura, hodhën shashka kundër policisë, por një prej tyre rezultoi fatale për të renë me origjinë nga Peqini. Ina Nuka u ndihmua nga kolegët e saj për të dalë nga turma dhe menjëherë me ambulancë u dërgua për në spital.

Kolegët e Forcave të Posaçme “Shqiponja” e përshkruajnë një vajzë mjaft të qetë dhe profesioniste. Dhe këtë e tregojnë edhe arritjet e saj nga koha kur ka nisur punën në Policinë e Shtetit në prill të vitit 2016.  Ndonëse në një moshë të re, ajo vuri jetën e saj në rrezik përballë disa grabitëse që kishin vjedhur me dhunë një makinë në Shkodër, duke i ndaluar keqbërësit. Për këtë veprim të saj, ajo është shpërblyer me një pagë mujore shtesë nga Drejtoria e Policisë së Tiranës.

Prej afro një vit e gjysmë ka punuar si efektive e Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë nr.3, deri sa gjashtë muaj më parë kaloi tek Shqiponjat, në repartin e “Shigjetave” që janë efektivët me motor.

Policja 24-vjeçare nuk e ka pasur të lehtë rrugëtimin e saj drejt karrierës, sikundër edhe jeta nuk është treguar bujare me të. Ina jeton e vetme, me qira. Babai i saj është i pa punë, ndërsa nëna ekonomiste. Vëllai emigrant në Gjermani. Nuk ka krijuar deri tani një familje pasi i është dedikuar punës, ku kërkon të bëjë karrierë.

Ka mbaruar studimet me rezultate të shkëlqyera në Universitetin e Sporteve të Tiranës dhe më tej Akademinë e Sigurisë.

Foto ne Spitalin e Traumes, efektivja pas operacionit
Momenti kur koleget e ndihmojne pas shperthimit ne duar te kapsolles

Lër një koment