Progres-raporti i KE, reagon Bushati: Shqiptarët nuk ushqehen me hapje e mbyllje kapitujsh

bushati-1-1.jpg

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati teksa ka reaguar lidhur me progres-raportin e Komisionit Europian, shkruan se shqiptarët nuk ushqehen me hapje mbyllje-kapitujsh.

“Për ne, nuk ka asnjë alternativë përkundrejt rrugës sfiduese të anëtarësimit në Bashkimin Europian, që siguron mirëqënie për qytetarët. Rrugë, e cila kërkon pronësi mbi reformat, vizion shtetkonsolidues dhe përgjegjësi politike.

Komisioni Europian vlerësoi gjithashtu reformat e ndërmarra nga Shqipëria dhe identifikoi sfidat për t’u adresuar me qëllim zyrtarizimin e bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Europian.

Ndonëse zyrtarizimi i bisedimeve për anëtarësim mbart një simbolikë të veçantë, qytetarët e zakonshëm të këtij vendi nuk ‘ushqehen’ me hapje e mbyllje kapitujsh. Për ta rëndësi ka perspektiva zhvillimore e vendit, cilësia e jetës, mbrojtja e promovimi i vlerave europaine, të cilat, lidhen drejtpërdrejt me progresin drejt BE-së”, shkruan Bushati.

Sipas tij, ky vit është i veçantë për Shqipërinë.

“Pas pak javësh ne do të përkujtojmë 30 vjetorin e Lëvizjes Studentore që solli ndryshimin epokal nën moton ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’. Nuk ka vepër më fisnike për të nderuar brezat që sakrifikuan për lirinë, nuk ka investim më të sigurtë për gjeneratën e re, sesa puna e përbashkët për përmbushjen e këtij objektivi kombëtar”, shkruan Bushati.

 

 

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303