Projektligj për mbrojtjen e faunës së egër shqiptare, Komisioni Europian merr në kontroll situatën

Fauna.jpg

Një projektligj i ri, që është në fazën e konsultimit me publikun, synon të forcojë rregullat dhe masat për mbrojtjen e faunës së egër, i cili ndër të tjera përfshin në monitorimin e zonave të Mbrojtura edhe Komisionin Europian.

Përmes ndryshimeve synohet ruajtja ose restaurimi të habitateve natyrore dhe llojeve të faunës së egër, me interes për komunitetin europian dhe vlerësimi i gjendjes së biodiversitetit në Shqipëri dhe monitorimi i kësaj gjendjeje.

Projektligji gjithashtu synon përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, për të mirën e gjeneratave të sotme dhe të ardhshme.
Synohet mirëmbajtja dhe restaurimi në një status të favorshëm ruajtjeje të habitateve natyrore dhe të llojeve të faunës së egër me interes për Shqipërinë dhe Komunitetin Europian.

Të gjitha informacionet për secilën nga zonat me status do t’i dërgohen Komisionit, me qëllim vlerësimin dhe koordinimin e nevojshëm për të siguruar që zonat me status të formojnë një rrjet koherent, i cili plotëson kërkesat për mbrojtje të habitateve dhe llojeve me interes për komunitetin europian.

Mbrojtje e veccantë do të jepet për llojet e kërcënuara e në rrezik zhdukjeje dhe llojet që kërkojnë vëmendje të veçantë për arsye të natyrës specifike të habitatit të tyre.

Masat mbrojtëse

Sapo të vendoset një zonë në listën e zonave me status, ajo do të jetë subjekt i masave të mbrojtjes në zonë. Masat specifike të ruajtjes për secilën zonë do të zbatohen në përputhje me rregullat e Direktivës Europiane të Habitateve.

Çdo plan ose projekt, që nuk lidhet drejtpërsëdrejti, por mund të ketë një efekt të rëndësishëm në zonën me status, do t’i nënshtrohet vlerësimit të duhur të ndikimit të tij për zonën. Bazuar në raportin e vlerësimit të ndikimit për zonën dhe llojet, autoritetet kompetente do të miratojnë planin ose projektin, vetëm pasi të konstatohet se ai nuk do të ndikojë negativisht në integritetin e zonës në fjalë dhe pas marrjes së mendimit të publikut të gjerë.

Plan – projekti

Në rastet kur një plan apo projekt duhet të realizohet për arsye të interesit publik, pavarësisht vlerësimit negativ të ndikimit për zonën dhe llojet, dhe në mungesë të zgjidhjeve alternative, duhet të miratohen masa kompensuese, për të siguruar koherencën e përgjithshme të rrjetit të zonave me status. Komisioni Europian informohet për masat kompensuese të miratuara.

Me propozimin e ministrit, Këshilli i Ministrave miraton listën e zonave me status, tipave të habitateve dhe llojeve, me interes për komunitetin europian, duke përfshirë tipat e habitateve dhe llojeve që janë autoktonë në territorin që shtrihet brenda secilës zone.
Do të ndalohet vrasja, kapja ose marrja e llojeve të faunës së egër, si dhe marrja e llojeve të florës së egër, të renditura në Shtojcën e Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 866, datë 10.12.2014, “Për miratimin e listave të tipeve të habitateve natyrore, bimëve, kafshëve dhe shpendëve, me interes për Bashkimin Europian”.

Ministria, në bashkëpunim me organet e qeverisjes qendrore e vendore, institute të specializuara, organizata jofitimprurëse dhe me persona fizikë e juridikë, harton planet e veprimit për ruajtjen e llojeve të kërcënuara dhe endemike, që miratohen me urdhër të ministrit.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303