Prokurori saudit në Turqi për vrasjen e Khashoggit

Agjensia shtetërore e lajmeve Anadolu  ka raportuar se prokurori publik saudit, i cili drejton hetimin për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, u takua ditën  e sotme me kryeprokurorin e Stambollit.

Sipas Anadolu, prokurori saudit do të inspektojë konsullatën saudite në Stamboll, ku Khashoggi u vra gati katër javë më parë.

Vdekja e Khashoggit, një gazetar i Washington Post dhe një kritik i princit de facto të Arabisë  ka shkaktuar reagim global për shkak të deklaratave kondradiktore të Rijadit.

Prokurori publik Saudit Al Mojeb tha javën e kaluar se vrasja ishte e paramenduar, duke kundërshtuar kështu një deklaratë zyrtare të mëparshme se vrasja ndodhi aksidentalisht.

Prokurorët turq kanë përgatitur një kërkesë për ekstradimin e 18 të dyshuarve nga Arabia Saudite, të cilët u arrestuan nga Rijadi si pjesë e hetimit.

Të dyshuarit përfshijnë një ekip sigurimi prej 15 vetësh, për të cilët Turqia thotë se kanë shkuar në konsullatën saudite në Stamboll.

Por, Ministri i Jashtëm saudit Adel al-Jubeir tha se personat e dyshuar do të ndiqen penalisht në mbretëri.

Turqia ka thënë se ka ndarë informacion në lidhje me hetimin me vendet e tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Francën dhe Rusinë.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu ka vlerësuar bashkëpunimin duke shtuar se duhet të vazhdojë, dhe i bëri thirrje mbretërisë që të përfundojë hetimin sa më parë që të jetë e mundur.

Lër një koment