fbpx

“Prokuroria ta hetojë”. Alibeaj bën denoncimin e fortë ndaj Edi Ramës

Enkelejd Alibeaj ka dalë në një deklaratë për media ku ka theksuar se shqiptarët po e paguajnë shumë shtrenjtë qeverisjen e Edi Ramës.

Alibeaj thekson se buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm prej 109 milionë eurosh për shkak të luftës së Ramës me sipërmarrësin Italian Francesco Bechetti. Alibeaj thotë ndër të tjera se Rama duhet t’i paguajë nga xhepi i tij këto para dhe se Prokuroria duhet ta hetojë për shpërdorim detyre.

DEKLARATA E PLOTË

Në 7 vjet të qeverisjes së Edi Ramës, shqiptarët kanë provuar në lëkurë se ky kryeministër u ka bërë keq. U ka bërë keq duke rritur taksat, duke mbyllur vende pune, duke i zbuar nga vendi dhe, mbi të gjitha, duke i vjedhur.

Shqiptarët i kanë paguar shumë shtrenjtë interesat politikë të Edi Ramës për të qëndruar në pushtet përmes blerjes së zgjedhjeve, kanë paguar shtrenjtë vendimet e tij korruptive për të dhënë me koncesion dhe PPP çdo gjë në Shqipëri, por tani ka ardhur radha të paguajnë edhe për hakmarrjet e tij e personale kundër biznesit.

Lufta e shpallur ndaj sipërmarrësit italian Frnacesco Bechetti për arsyen e vetme se zotëronte një media kritike ndaj qeverisë, ndaj Edi Ramës dhe Erion Veliajt, po u kushton qytetarëve të vendit 109.5 milionë euro.

Si për shumë gjëra të tjera, premtimet e Edi Ramës se nuk do të paguajmë asnjë qindarkë për luftën e tij personale ndaj Bechettit, rezultuan një gënjeshtër e madhe.

Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit i dha të drejtë sipërmarrësit dhe i kërkon Shqipërisë të paguajë dëmin.

Ky duhet të ishte momenti që Edi Rama të jepte dorëheqjen, pasi urdhrin për të shkatërruar biznesin e Beketit dhe për të sekuestruar televizionin e ri Agon Channel, e dha Edi Rama.

Tani, shqiptarëve u duhet të paguajnë për luftën personale të kryeministrit me një sipërmarrës të huaj, kritik ndaj keqqeverisjes se tij. Janë plot 109 milionë euro. Janë më shumë para sesa të dyja paketat e ndihmës që qeveria u dha qytetarëve gjatë pandemisë.

Me kaq shumë para, bizneset nuk do të ishin sot duke luftuar për mbijetesë, mijëra vende pune nuk do të ishin mbyllur. 109 milionë euro që Shqipëria po paguan për luftën personale të Edi Ramës kundër një biznesi faktojnë se buxheti kishte para, por taksat nuk iu kthyen shqiptarëve, kur ata kishin më shumë nevojë për ndihmë, por u përdorën për të financuar luftën politike personale të Edi Ramës.

Tani çështja qëndron a duhet të paguajnë shqiptarët për konfliktin personal të Edi Ramës me një biznesmen, për vendimin e tij personal të gabuar për të mbyllur aktivitetin e tij?

Në një shtet normal me një qeveri dhe kryeministër normal, që nuk luan bixhoz me paret e shqiptarëve, ato para duhet t’i paguajë ai që ka shkaktuar dëmin. Duhet t’i paguajë Edi Rama.

Në platformën tonë antimafia kjo është një nga pikat kryesore. Zyrtari përgjegjës për nje vendim të gabuar që i shkakton dëm buxhetit, duhet të paguajë me pasuritë e tij. Edi Rama ka me çfarë ta paguajë. Le t’i sekuestrojnë pasuritë e deklaruara dhe të padeklaruara. 10 vjet më parë, një dokument i OSBE-së tregoi se pasuria e kryebashkiakut të kohës, Edi Rama, llogaritej në rreth 200 milionë euro.

Është detyrë e drejtësisë të hetojë dhe të marrë nën përgjegjësi penale kryeministrin e vendit për shpërdorim detyre. Shqiptarët nuk kanë pse paguajnë nga taksat e tyre 109 milionë euro për luftën personale të Edi Ramës me median e lirë dhe biznesin.