Protesta bllokon Hong Kongun

hong-kong-1.jpg

Trafiku rrugor është bllokuar dhe të paktën 100 fluturime janë anuluar pas nisjes së grevës së përgjithshme të thirrur nga aktivistët pro-demokratikë të hënën në Hong Kong.

Liderja e Hong Kongut, Carrie Lam, ka thënë se protestat janë duke shtyrë qytetin “në një situatë shumë serioze” dhe janë duke rrezikuar statusin e tij gjysmë-autonom.

Ajo i ka bërë këto deklarata pasi ushtria kineze ka kërcënuar se do të dërgojë trupa ushtarake në këtë territor për të ndalur protestat.

“Aksione të tilla në emër të disa kërkesave kanë dëmtuar rëndë ligjin dhe rregullin në Hong Kong, dhe janë duke shtyrë qytetin tonë drejt një situate shumë serioze”, ka thënë Lam para gazetarëve.

Protestuesit pro-demokratikë kanë bërë thirrje për greva të përgjithshme, për t’iu bërë presion liderëve të Hong Kongut, që janë të afërt me Pekinin.

Hong Kongu, ish-koloni britanike, është pjesë e Kinës, por gëzon liri unike që nuk shihen në pjesën tjetër të shtetit.

Protestat në këtë vend fillimisht kanë nisur si pasojë e një projektligji, që parashihte ekstradimin e të dyshuarve në Kinë.

Ky projektligj është pezulluar, mirëpo kërkesat e protestuesve janë rritur, duke përfshirë thirrjet për zgjedhje të drejtpërdrejta, ndryshime legjislative dhe hetime për një varg çështjesh./real-news.tv/

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303