Protesta e 2 marsit/ Ngjela: Meta do marrë paralajmërim nga NATO dhe SHBA

Avokati Spartak Ngjela thotë se ajo që Meta paralajmëron se do të kryejë në datën 2 mars të këtij viti, është krim kundër rendit kushtetues.

Sipas Ngjelës, Meta do të marrë paralajmërim juridik nga NATO dhe nga Uashingtoni për aktin e bllokimit mafioz të shtetit shqiptar

“Çekuilibrimi mendor i një presidenti që dekreton në rrugë një akt agresiv kundër shtetit që drejton, arrestohet në çast. Kjo që po ndodh në Shqipëri është një rast vulgar. Por, gjithsesi, kërkon ndëshkim të menjëhershëm, jo se ky president krijon rrezik për cënimin e rendit juridik, por sepse zhvlerëson karakterin serioz dhe të paprekshëm të shtetit dhe të rendit juridik në një vend që është anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut. Meta aktualisht është në procedurë shkarkimi. Ky proces, e ka sjellë atë në një pështjellim mendor frike. Kjo është arsyeja që Meta kërkon të kalojë, nga Presidenti i Shtetit të Shqipërisë, në presidentin e anarkisë shqiptare”, shkruan Ngjela.

Sipas tij, ky është çekuilibrim mendor; por, i një presidenti, që, nën këtë trysni, vjen dhe kryen një krim kundër rendit juridik. Avokati ngre pyetjen “a do ta ndërmarrë SPAK-u këtë akt, si kompetent që është, për procedimin penal kundër Presidentit të Republikës?”