Protesta e opozitës, Lleshaj: Pati më tepër dhunë

Në lidhje me protestën e djeshme të opozitës ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Sipas tij, protesta pati më tepër dhunë dhe zhvendosja drejt Parlamentit ishte e pabesë dhe tinëzare.

“Pati më tepër dhunë, ky është një lajm i keq që tregon dëshpërimin e organizatorëve. Protesta e mbrëmshme u zhvendos në mënyrë të pabesë, tinëzare nga vendi ku ishte kërkuar tek kryeministri drejt parlamentit duke krijuar pasoja të rënda, duke përfshirë qytetarë të palidhur me protestën e duke sjell dëme. Nga ana e organizatorëve nuk ishin marrë asnjë masë për sigurinë e saj, nuk ishte shpenzuar asnjë burim njerëzor apo material që protesta të zhvillohej brenda hullisë ligjore”, tha Lleshaj.

Më tej, ministri tha se nga organizatorët ishin marrë masa për të hartuar plan sulmi dhe për të përdorur dhunë kundër institucioneve kushtetuese.

“Protesta kontribuoi edhe njëherë për ta zhvendosur vëmendjen e policisë nga krimi tek protesta. Policia dha shembull dinjiteti, dhunuesit një tjetër arsye për t’u braktisur nga çdo qytetar. Policia reagoi me profesionalizëm ndaj njerëzve që kanë vrarë”, nënvizoi ministri i Brendshëm./real-news.tv