Protesta në Athinë kundër marrëveshjes së Prespës

protests-in-athens.jpg

Mijëra grekë kanë paralajmëruar një protestë masive mesditën e kësaj të diele në sheshin “Sindagma” të kryeqytetit helen. Sipas organizatorëve, kjo do të jetë protesta më e madhe e viteve të fundit në Greqi.

Nën tingujt e “Maqedonia që jehon”, mijëra grekë kanë filluar të mbërrijnë në sheshin “Sindagma”.

Ata mbajnë flamuj dhe hedhin parulla kundër “Marrëveshjes së Prespës”, e cila një ditë më parë u depozitua në Parlament dhe, nga e hëna do të fillojnë diskutimet që do t’i hapin rrugë aprovimit ose refuzimit të saj.

E ndërsa qeveria dhe aleatët e saj po bëjnë përllogaritjet për të gjetur votat e duhura, opozita thotë se marrëveshja nuk duhet të ratifikohet dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Protesta e së dielës do të përshëndetet prej personazheve të njohur të artit dhe muzikës greke, si dhe prej Mikis Theodhorakis, muzikanti revolucionar grek 95-vjeçar, i cili e kundërshton fort këtë marrëveshje.

Në protestë pritet të marrin pjesë protestues nga i gjithë vendi, madje për këtë qëllim janë marrë me qira më shumë se 3.000 autobusë. /real-news.tv/

scroll to top