Studentët do të mblidhen sërish sot për të protestuar për plotësimin e 8 kërkesave të tyre.
Sikurse këto ditë, ata kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestës së tyre duke bllokuar rrugët nga ora 09:30 deri në orën 14:00.
Së pari kanë qenë studentët e Ekonomikut që kanë bllokuar rrethrrotullimin tek Fakulteti, duke shkaktuar kaos në qarkullim dhe radhë të gjata të automjeteve. Atyre iu janë bashkuar edhe studentët e Gjeologjikut.
Ndërkohë, në orën 10: 20 studentët e Mjekësisë pritet të bllokojnë kryqëzimin tek 9-Katëshet, ndërsa ato të Sporteve do të bllokojnë 21-Dhjetorin.
Studentët nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe i Arkitekturës kanë vendosur të mblidhen direkt përpara kryeministrisë ndërkohë studentë nga universitete të tjera do të bllokojnë qarkullimin tek rrethrrotullimi i Ekonomikut, kryqëzimin e rrugës se Elbasanit.
Kryefjala e studentëve është plotësimi i 8 pikave nga kryeministri Edi Rama, por jo me dialog, ndërkohë që ky i fundit ka nisur mbrëmjen e djeshme një seri takimesh me pedagogë dhe studentë.
Ata bëjnë thirrje që ashtu si ditët e tjerë të gjithë studentët të bojkotojnë mësimin. ndërsa i bëjnë thirrje që edhe universitetet e rretheve t’i bashkohen protestës së tyre në Tiranë.
Basha – Kryemadhi të mos na afrohen
Por ndërkohë që me kryeministrin nuk pranojnë dialog, kanë edhe një mesazh për dy liderët e tjerë, Basha dhe Kryemadhi, që mos t’i afrohen protestës së tyre.
Ndërkohë mësohet se sot, pas protestës studentët e mjekësisë kanë lënë për të bërë një votim nëse duan dialog apo jo. Argumenti i tyre pro dialogut është sepse nuk po arrijnë t’ia dalin dot. /Real-news.tv/