Protestat në Hong Kong, anulohen sërish fluturimet

Fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Hong Kongut janë anuluar sërish, për të dytën ditë radhazi, për shkak të protestave antiqeveritare.

Aeroporti, i cili është një nga më të ngarkuarit në botë, ka qenë vendi i protestave për pesë ditë rresht.

Pamjet tregojnë se pasagjerët po përpiqen të kalojnë përmes demonstruesve, të cilët janë të ulur brenda duke bllokuar nisjet.

Ndërkohë, Komisioneri i lartë për të drejtat e njeriut i Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet, shprehu shqetësimin për forcën e përdorur kundër protestuesve gjatë protestave masive në Hong Kong, dhe bëri thirrje për një hetim të paanshëm.

Dhjetë javët e trazirave, janë bërë sfida më e madhe për sundimin kinez të qytetit gjysmë-autonom, që nga dorëzimi i tij nga Britania më 1997.

Protestat filluan për të kundërshtuar një projekt-ligj, që do të lejonte ekstradimet në territorin e Kinës, por shpejt përparuan në një përpjekje më të gjerë për të rritur nivelin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Më herët, udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam, i bëri thirrje protestuesve të tërhiqen e të mos e çojnë vendin në buzë të greminës.