Protestat në Hong Kong/ Shënohet viktima e parë

Një student humbi jetën në Hong Kong mëngjesin e së premtes si pasojë e plagëve të rënda në kokë, pasi u rrëzua të hënën në një parking pranë protestës pro demokracisë.

Në atë moment kishte ndërhyrë dhe policia për të shpërndarë turmën. Kjo është viktima e parë zyrtare si pasojë e përplasjeve mes protestuesve dhe agjentëve të policisë në ish koloninë britanike.

Alex Chow ra nga muri i një parkingu makinash gjatë një operacioni policor për të pastruar zonën të hënën në mëngjes.

Rrethanat e sakta të rënies së tij janë të paqarta, por raportet thonë se ai po përpiqej të largohej nga gazi lotsjellës.

Vdekja e 22-vjeçarit erdhi pas një javë tjetër dhune politike në Hong Kong.

Lajmi për vdekjen e tij shkaktoi manifestime në shenjë solidariteti nga ana e studentëve duke rritur tensionet për protestat e fundjavës./real-news.tv/