Protestë dhe përleshje edhe në mbrëmje!

Rinis sërish në mbrëmje protesta e banorëve, shtëpitë e të cilëve do të shemben nga projekti i Unazës së Madhe. Të vendosur në mes të rrugës në zonën e “Astirit” ata paralajmërojnë se nuk do të ndalen derisa të marrin garanci për dëmshpërblim 100 % në vlerën reale të tregut për ndërtesat që do të shemben. Nuk munguan përplasjet me forcat e Policisë, ndërsa i pranishëm ishte edhe lideri i opozitës Lulzim Basha i cili fajtor për këtë situatë bëri kryeministrin Edi Rama.

Revoltën e mbledhur në rreth 20 ditë protestë, banorët e zonës së “Astirit” që preken nga ndërtimi i projektit të rrugës së Unazës së Madhe, e nxorën këtë të enjte para Parlamentit të Shqipërisë, në një protestë e cila u përshkallëzua në përplasje të dhunshme edhe me forcat e Policisë. Brenda Parlamentit të mbushur vetëm me deputetë të mazhorancës, ashtu siç premtoi, mbajti fjalë kryeministri Edi Rama i cili shprehu vendosmërinë e tij për vijimin e projektit të Unazës së Madhe, ndërsa lideri demokrat Lulzim Basha mbajti një takim duke shfaqur kritikat e opozitës për buxhetin e shtetit të vitit 2019.

Në protestën e banorëve, u përfshinë edhe simpatizantë të Partisë Demokratike, ashtu sikundër nuk munguan edhe deputetë të kësaj force politike që janë bërë pjesë edhe të protestave të mëparshme të banorëve.

Pas panoramës së mëngjesit, banorët u mblodhën sërish në protestë në mbrëmje, duke dalë në rrugë në zonën e Unazës. Edhe në mbrëmje nuk munguan përplasjet me policinë, ku këtë radhë, të pranishme ishin edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Protestës së mbrëmjes ju bashkua edhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili tha se projekti i Unazës së Madhe është korruptiv dhe më qëllime klienteliste.

Kryedemokrati tha se policia ka dhunuar sot qytetarët dhe për këtë gjë fajtor është Edi Rama.

“Rama mban përgjegjësi për dhunën e ushtruar ai do ta paguajë shtrenjt për dhunën e shkaktuar ndaj një sërë qytetarësh. Gra më brinjë të thyera, zonja me shtyllën kurrizore të shembur, ai do të paguajë dhe për gishtat e humbur të polices. Po përpiqet që të mbulojë sot vjedhjen 40 milion euro. Po keqpërdor policinë që paguhet nga taksat e shqiptarëve. Ai do ta paguajë dhe për punonjës e policisë dhe gishtat e saj të dëmtuar.  I çoi të patrajnuar, ajo e ka kapur kapsollën me dorë. I çoi policët e rinj për të mbuluar vjedhjen. Po përdor propagandën, për të vendosur popullin dhe qytetarët shqiptarë. Por policët dhe qytetarët janë në anën e ligjit dhe i vetmi që është kundër ligjit është Edi Rama”, – tha Basha.

I pyetur për komentin e Ramës se protesta kishte kaluar vijën e kuqe, Basha tha se kryeministri njeh vetëm vijat e bardha, duke nënkuptuar kështu kokainën.

“Ku njeh vija të kuqe ai… Ai njeh vetëm vija të bardha. Vija e kuqe është kaluar qëkur ai ka vendosur të vjedhë 40 milion euro e të nxjerrë jashtë qytetarët”, – tha Basha.

Sot gjatë protestës para Kuvendit u hodhën edhe fishekzjarrë, si pasojë e të cilëve një efektive e policisë, Ina Nuka, mori dëmtime në 4 gishtërinj nga shpërthimi.

Banorët e Unazës së re kanë nisur bllokimin e rrugës me kërkesën e tyre të qartë, atë të dëmshpërblimit 100% për prishjen e banesave të tyre. Po ashtu banorët kërkojnë që të lirohen protestuesit që u shoqëruan nga policia gjatë tubimit të dhunshëm paradite tek Kuvendi.

Gjatë ditës, tensione pati edhe tek Spitali i Traumës. Nga përleshjet tek parlamenti mbetën të plagosur 12 punonjës policie dhe tre protestues, të cilët morën mjekim në Spitalin e Traumës. Aty, u gjend kryeministri Edi Rama i cili shkoi për të vizituar të plagosurit. Por kreu i qeverisë u përball me një familjarët e një prej protestuesve të lënduar, i cili tentoi të qëllojë kryeministrin me këpucë. Situata u qetësua nga ndërhyrja e një efektivi të policisë private për sigurinë e spitalit i cili devijoi sendin.

Kujtojmë se mes policëve të plagosur, të cilët ishin në krye të detyrës, një efektive humbi 4 gishta nga shpërthimi i një kopsolle, ndërkohë një tjetër humbi dëgjimin si pasojë e hedhjes së kapsollave.

/RealNews

Lër një koment