fbpx

Separatistët katalanas në protestë masive në Barcelonë

105677292_58dda403-5b8e-4825-8dda-a3dac33cffb5.jpg

Rreth 200 mijë persona kanë protestuar në Barcelonë për ta kundërshtuar gjykimin e udhëheqësve katalanas, të cilët kanë bërë përpjekje për pavarësinë e Katalonias nga Spanja.

Udhëheqësit katalanas po gjykohen në Gjykatën Supreme të Spanjës në Madrid për shkak të organizimit të referendumit për pavarësi dhe përpjekjes së dështuar për t’u shkëputur nga Spanja në tetor të vitit 2017. Nëse shpallen fajtorë, disa prej tyre mund të dënohen me 25 vjet burgim.

Kriza e Katalonias po vlerësohet si kriza më serioze politike që e ka goditur Spanjën që nga vdekja e diktatorit Francisco Franco në vitin 1975, kur vendi kishte hyrë në fazën e tranzicionit në demokraci.

Prokurori i këtij rasti, Fidel Cadena, ka thënë në gjykatë se separatistët janë përpjekur ta rrëzojnë rendin kushtetues të Spanjës. Sipas kushtetutës së vitit 1978, Spanja është një njësi e pandashme territoriale.

Sidoqoftë, avokati i separatistëve, Andreu Van Den Eynde, ka thënë se ky gjykim ka të bëjë me të drejtën për vetëvendosje dhe parimet demokratike. Sipas tij, asnjë ligj ndërkombëtar dhe evropian nuk e ndalon ndarjen e krahinave etnike, shkruan “BBC”./real-news.tv/

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303