fbpx

Pse Putini nuk e ka fituar “lojën” në Bjellorusi

Nga Eva Hartog

Ndërsa protestat po vazhdojnë që të tronditin Bjellorusinë, lideri autoritar i vendit Aleksandër Llukashenko e ka kthyer kokën nga Lindja për të kërkuar ndihmë. Në përpjekje për të garantuar mbijetesën e tij politike, presidenti bjellorus po përpiqet që të rregullojë problemet e tij, si pjesë e një konflikti gjeopolitik midis Moskës dhe Perëndimit , duke i bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin – “vëllait të tij të madh” dhe “mikut të tij në kohë të vështira” – që ta mbështetë përballë presionit të pandërprerë popullor për t’u larguar nga detyra.

Pamjet e takimit të dy udhëheqësve në Soçi në fillim të javës që shkoi, treguan një Lukashenko të djersitur nga sikleti, apo duke mbajtur plot zell shënime në një bllok kur po fliste Putini, ose duke u përpjekur i dëshpëruar të tërhiqte vëmendjen e shefit të Kremlinit, ose rregullonte vazhdimisht kravatën e tij dhe përplaste këmbët nga stresi.

Takimi synonte të tregonte se Llukashenko po ia mbyllte derën Perëndimit, dhe po hapte një derë edhe më të gjerë ndaj Rusisë. Gjatë sundimit të tij 26-vjeçar, Llukashenko ka kërkuar të luajë me dy porta, me Evropën kundër Rusisë, duke e shfrytëzuar pozicionin e Bjellorusisë si një shtet tampon midis të dyjave.

Por tani Llukashenko është i gatshëm ta shesë autonominë e Bjellorusisë, nëse kjo nënkupton se ai do të vijojë të mbetet në pushtet, qoftë edhe sa për sy e faqe. Por, me gjithë pompozitetin e takimit të Soçit, është shumë shpejt për ta cilësuar atë një lojë të përfunduar. E parë nga Evropa, Bjellorusia nuk ka humbur ende ndaj Rusisë.

Llukashenko është tejet i pabesueshëm, besnikëria e tij varion nga të fryjë era, dhe sjellja e tij sot nuk është garanci për sjelljen e tij nesër. Në prag të zgjedhjeve të kontestuara të 9 gushtit, lideri bjellorus e akuzoi Rusinë se po tentonte ta destabilizonte Bjellorusinë pasi arrestoi 33 rusë të dyshuar si ushtarë mercenarë.

Tani ai po paralajmëron për një sulm të NATO-s, dhe po i godet protestuesit si agjentë të Perëndimit. Për Llukashenkon, luajtja e fatit të tij politik si pjesë e një lufte gjeopolitike midis Lindjes dhe Perëndimit, është një vendim thjesht pragmatik.

Që kur BE e cilësoi të manipuluar procesin e 9 gushtit, Moska është rruga e vetme e shpëtimit për sundimtarin e rrethuar nga populli. Tani për tani, Vladimir Putini është duke e luajtur këtë lojë, duke e mbështetur Llukashenkon, pasi ai preferon të menaxhojë rënien graduale të Bjellorusisë, sesa rrëzimin e lidershipit të saj nga një kryengritje popullore.

Rusia i ka premtuar ndihmë ushtarake, duke konfirmuar se një forcë rezervistësh është gati nëse do të kërkohet një ndërhyrje nga Minsku. Ndërkohë Moska njoftoi se do të ketë stërvitje ushtarake të përbashkëta e të përmuajshme në Bjellorusinë Perëndimore.

Moska ka dërguar gazetarët e vet në Bjellorusi për qëllime propagandistike, dhe i ka dhënë Minskut një hua prej 1.5 miliardë dollarësh, shumë që do t’i japë Llukashenkos të ristrukturojë borxhin kombëtar, kryesisht ndaj Rusisë. Asgjë nuk është bërë publike, por ka pak dyshime se ky pakt për ruajtjen e statuskuosë përfshin ndoshta edhe privatizimin e kompanive shtetërore bjelloruse, ose një integrim më të ngushtë midis dy vendeve, çka do t’i jepte Putinit më shumë kontroll mbi vendin fqinj.

Putini është bërë pjesë e kësaj loje, jo sepse ai i beson Llukashenkos, por sepse përputhet me botëkuptimin e tij polarizues. Ka shumë shenja se Moska dëshiron që Llukashenko të largohet nga pushteti, por gradualisht. Diskutimi mbi planin e reformës kushtetuese që duhet të ndodhë në Bjellorusi, i shpallur nga Kremlini, dhe i përsëritur nga Llukashenko, është pjesërisht një përpjekje (e pasuksesshme) për t’i qetësuar protestuesit.

Por është ndërkohë edhe një sinjal për Llukashenkon, që edhe nëse ai i mbijeton krizës aktuale politike, gjërat për të nuk do të jenë më njëlloj. Edhe për Moskën, përfitimet nga kjo situatë janë ende të pasigurta. Duke e mbajtur Llukashenkon në pushtet, Kremlini mund të blejë kohë.

Por në këtë mënyrë, ai rrezikon të armiqësojë shoqërinë bjelloruse, e cila tradicionalisht ka simpati ndaj Moskës, dhe nuk po tërhiqet nga kërkesat e saj për rrëzimin e Lukashenkos.

“Më vjen keq për ju që vendosët të zhvilloni dialog me uzurpatorin dhe jo me popullin bjellorusi”- deklaroi udhëheqësja e opozitës Svetlana Tikanovskaja nga mërgimi në Lituani.

Ndërkohë, Brukseli nuk ka shumë hapësirë për të vepruar. Madje nuk ka mundësi as të rivalizojë me Moskën sa i përket lidhjeve ekonomike, historike, kulturore dhe sociale që lidhin dy vendet fqinje. Dhe as nuk ka ndikimin e Moskës mbi aparatin bjellorus të sigurisë.

Analisti bjellorus Artjom Shraibman, thotë se ndryshe nga elita ruse “elita bjelloruse nuk ka pasuri në BE, të cilat mund të ngrihen”. Sipas tij, paketat stimuluese, si ato të sugjeruara nga Polonia së fundmi “mund ta inkurajojnë elitën të mendojë për një të ardhme post-Llukashenko” shtoi ai, “dhe të veprojë si një karotë për vendin kur ai të ketë nevojë të dëshpëruar për para”.

Më urgjentisht, roli i menjëhershëm i BE-së mund të jetë në garantimin e mbështetjes humanitare për viktimat e dhunës policore dhe refugjatëve politikë, si dhe në mbështetjen morale ndaj protestuesve. Këshilli i Opozitës, i ka bërë thirrje Moskës të përfshihet në një dialog rreth një alternative politike të zbatueshme.

Fituesja e Çmimit Nobel në letërsi Svetlana Aleskeviç, e vetmja anëtare e këshillit opozitar që ndodhet ende në Bjellorusi është shprehur:”Bjellorusët i kanë konsideruar gjithmonë rusët si vëllezër, por nëse Rusia i qëndron politikës së saj aktuale, kjo gjë nuk do të ndodhë më”. / politico.eu – bota.al