Psikologia jep këshillat për të gjithë: Si të përballoni situatën post-tërmet

BeFunky-collage-72.jpg

Nga Eglantina Nikollaj, Psikologe

Tërmeti i fortë që la pas 51 persona të vdekur, mbi 900 të plagosur dhe mijëra të tjerë të pastrehë e të traumatizuar, ka minuar në këto tetë ditë të post- ngjarjes stabilitetin tonë emocional. Vëmendja dhe kryefjala e çdo bisede tashmë janë lëkundjet që në ato 31 sekondat e tmerrit shumëkush mendoi se ndoshta ky ishte fundi.

Ngjarja ka ndikuar që të gjithë të jetojnë në ankth e panik. Shqetësimi dhe hipervigjilenca pas çdo dridhje toke ka sjellë një c’ekuilibër të tillë mendor sa të gjitha mendimet aktuale janë përqëndruar në skenarë të mundshëm imagjinarë: Po sikur të ketë lëkundje tjetër më të fortë?

Kjo ka rritur ndjeshëm tensionin duke na dhënë një kosto psikologjike që do të duhet kohë për ta rikuperuar. Një kosto e tillë natyrisht që mund të shoqërohet me ndryshime të mëdha e të përhershme në sferën ekzistenciale momentale apo edhe në të ardhmen, duke ndikuar në mënyrë të ndjeshme dhe të drejtëpërdrejtë në cilësinë e jetës tonë personale dhe familjare.

Kujdes fëmijët!

Ata që janë më të prekur nga lëkundjet e 26 nëntorit janë fëmijët. Prindërit duhet të kujdesen në mënyrë të veçantë për ta, tu qëndrojnë shumë afër dhe ti bëjnë të besojnë se tashmë ata janë të sigurtë. Fëmijët janë kuriozë në përgjithësi dhe kanë shumë pyetje. Ajo çka nuk duhet të nënvlerësoni në këto ditë janë ndjenjat dhe emocionet e tyre. Lerini ata të flasin, qoftë edhe për tërmetin pasi është e rëndësishme për ta një katarsis emocional, (shkëmbimi i eksperiencës traumatike në këtë rast është i vlefshëm si për fëmijët ashtu edhe për të rriturit). Lerini të bëjnë pyetje. Shpjegojani në mënyrë të tillë që sensorët konjitivë të fëmijës ta perceptojne atë çka ka ndodhur sa më thjeshtë, si një film të animuar.

Parapërgatitini dhe mësojuni atyre se pas një lëkundje të fortë vijnë të tjera më të lehta, por që ky është një fenomen normal dhe nuk përbëjnë asnjë problem për sigurinë e tyre.

Tashmë hapi që duhet bërë për të normalizuar psikikën e fëmijës është kthimi në rutinën e mëparshme. Terapia e lojës tek ta nuk kërkon domosdoshmërisht prezencën e psikologut. Ndaj organizimi i ditës me sa më shumë bashkëmoshatarë të tyre e me lojëra do të ishte ideale. Gjithashtu shmangia e pamjeve të papërshtatshme për psikikën e tyre në TV.

Efekti i medias

Prindërit gjatë këtyre ditëve janë gozhduar para ekraneve për të mësuar çfarë po ndodhte me pasojat e lëkundjeve, çka ka pasur një ndikim mjaft të madh në shtimin e ankthit e panikut.

Duke mirëkuptuar median në dhënin e lajmit sensacional, gjithësesi mjaft pamje kanë qenë të panevojshme. Ato mund të shmangeshin pasi duhej pasur parasysh se primare tashmë në këtë situatë është edhe shëndeti mendor i qytetarëve. Kur kanë kaluar kaq ditë nga ngjarja, ende transmetohen në hyrje të çdo emisioni e edicioni informativ kufoma që nxirren nga rrënojat. Ende transmetohen pamjet e tmerrshme të një fëmije në Thumanë që briste e qante nga dhimbja e tmerri që po përjetonte me gjysmën e trupit në gërmadhë. Ende transmetohen nga pamjet e operacionit të shpëtimit, elemente njerezore në rrënoja, madje me efekte (të regjisë) thirrjesh për ndihmë të tyre.

Pamje të tilla besoj janë rrënjosur në psikiken e gjithësecilit dhe nuk di nëse ka njeri që nuk ka derdhur lotë para ekranit. Do të duhen shumë muaj të harrohen disi këto pamje që ndikuan tek qytetarët në mënyrë të tillë që të braktisin shtëpitë e të flenë përjashta në makina apo në qiell të hapur. Ngjarja nuk mund të kanalizohej në formën e një filmi kinemaje. Natyrisht që duhet të ketë filtra dhe të kihet parasysh se teleshikuesi (së paku në orare të ditës) mund të jetë fëmijë, apo edhe adult e të moshuar që kanë probleme të mbartura të ankthit, tensionit apo të zemrës.

Stresi post traumatik

Kontigjenti më i predispozuar për të vuajtur pasojat janë ata që kanë qenë viktima të drejtëpërdrejta. Pra të plagosurit që u nxorën nga rrënojat. Familjarët e viktimave. Ata që humbën fëmijët, prindërit apo të afërmin. Por edhe ata që pësuan dëmtime fizike në ikje e sipër, ata që u bllokuan se nuk iu hapej dera etj. Ankthi dhe tensioni në këtë rast ndikojnë në mënyrë të tillë duke rraskapitur imunitetin mendor, e për rrjedhojë edhe atë fizik.

Të kujtuarit në mënyrë të përsëritur i ndodhisë shkakton simptoma të Çrregullimint Post-Traumatik të Stresit. Simptomat rijetohen zakonisht shumë shpejt pas ndodhisë traumatike, por kjo mund të ndodhë edhe disa muaj, e madje disa vite më vonë nëse nuk trajtohet me ndihmë profesionale nga ekspertë të fushës së psikologjisë.

Pra edhe nëse ndokush nga kontigjenti i mësipërm mund të duket në pamje të parë në rregull psikologjikisht, duhet të kemi parasysh se reagimi emocional mund të zgjohet edhe disa muaj më pas dhe të ndikojë në regres të dukshëm të të gjithë sferës ekzistenciale e mendore të individit.

Simptomat

Në mënyrë të përmbledhur disa simptoma të mundshme si përgjigje nga eksperienca traumatike:

  1. PTSD (Post Traumatik Stress Disorder) – Ripërjetimi i vazhdueshëm i ndodhisë traumatike.
  2. Probleme me Ankthin – Frikë e përsëritjes së ngjarjes.
  3. Probleme me gjumin – Gjumë i shqetësuar i shoqëruar me mankthe natën.
  4. Probleme me ushqimin – Mungesë oreksi.
  5. Lodhje- Shfaqin ekuilibër të dobët dhe imunitet të rënë.
  6. Vështirësi në frymëmarrje- Ndjenja e mbytjes
  7. Djersitje.
  8. Nervozizëm i tepruar
  9. Vështirësi në kontrollin e shqetësimit të përjetuar dhe frikë e vazhdueshme
Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303