Qëlloi me plumba makinën e të vëllait dhe dhunoi mbesën, ja çfarë ndodhi sot në një familje në Tiranë

Policia e Tiranës ka parandaluar një konflikt mes familjarëve, e cila mund të sillte pasoja të rënda.

Një 58-vjeçar është konfliktuar për motive pronësie me vëllanë dhe më pas ka dhunuar fizikisht mbesën e tij

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Reagimi në kohë i shërbimeve të Komisariatit të Policisë nr 6, parandalon përshkallëzimin e një konflikti me pasoja të rënda .

Policia vë në pranga një 58-vjeçar i cili gjatë konfliktit për motive pronësie me të vëllain, dhunoi fizikisht mbesën.

Shpallet dhe në kërkim djali i 58 vjeçarit i cili gjatë konfliktit dëmtoi mjetin e xhaxhait duke e qëlluar me armë zjarri.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.6, arrestuan në flagrancë shtetasin:

– P. S., 58 vjeç, banues në fshatin Maknor, në Pezë, Tiranë.

Në fshatin Maknor ky shtetas është konfliktuar për motive pronësie me vëllain e tij, shtetasin Xh. S., dhe gjatë konfliktit ka dhunuar fizikisht mbesën e tij (vajzën e shtetasit Xh. S.) duke i shkaktuar lëndime në trup.

Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe po punohet intensivisht për kapjen e djalit të tij, shtetasit E. S., i cili gjatë konfliktit ka thyer xhamat e mjetit të xhaxhit (të shtetasit Xh. S.) pasi ka qëlluar në drejtim të mjetit me armë zjarri.

Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Dhunë në familje” në ngarkim të shtetasit P. S., dhe veprat penale “Shkatërrim prone”, “Kanosje”, “Prishje e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”, në ngarkim të shtetasit E. S.