Qeveria ndryshon Buxhetin 2020, më shumë fonde për Shëndetësinë

qeveria1.jpg

Situata e krijuar nga covid-19 ka bërë që Qeveria shqiptare të marrë vendimin për të ndryshuar buxhetin e vitit 2020, për shkak të luftës me koronavirusin.

Këshilli i Ministrave ka miratuar propozimet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për ndryshimet në Buxhetin e Shtetit për Vitin 2020. Përmes një akti normativ bëhet i mundur alokimin e një Pakete Financiare prej 12 miliardë lekë për përballimin të situatës emergjente të krijuar nga Pandemia COVID-19.

AKT NORMATIV Nr.6, datë 21.3.2020

PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.88/2019, “PËR BUXHETIN E VITIT 2020” Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Në ligjin nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa: Neni l Nenet 1, 2 dhe 5 ndryshohen, si më poshtë vijon: “Neni 1 Buxheti për vitin 2020 është: Të ardhurat 489 675 milionë lekë; Shpenzimet 558 374 milionë lekë; Deficiti 68 699 milionë lekë. Ai përbëhet nga buxheti i shtetit, buxheti vendor dhe fondet speciale, sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore dhe kompensimi i pronarëve. Neni 2 Buxheti i shtetit për vitin 2020 është : Të ardhurat 358 706 milionë lekë; Shpenzimet 427 405 milionë lekë; Deficiti 68 699 milionë lekë. Neni 5 Buxheti i sigurimeve shëndetësore, për vitin 2020, është: Të ardhurat, gjithsej, 45 304 milionë lekë; Nga të cilat: – transferimet nga buxheti i shtetit 30 888 milionë lekë; – shpenzimet 45 304 milionë lekë. Fondi pёr rimbursimin e medikamenteve nuk tejkalon tavanin prej 11 000 milionë lekësh, përfshirë edhe detyrimet e prapambetura. Fondi për shërbimin spitalor detajohet dhe përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave. Fondi antiCovid-19, prej 2 500 milionë lekësh, detajohet dhe përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave, për shpenzime korrente dhe kapitale.”.

VENDIM Nr.240, datë 21.3.2020

PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2020, MIRATUAR PËR MINISTRINË E SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE, PËR MARRJEN E MASAVE PËR PLOTËSIMIN E NEVOJAVE PARAPRAKE PËR PËRHAPJEN E INFEKSIONIT TË SHKAKTUAR NGA COVID-2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936/2016, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave VENDOSI: 1. Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në programin “Planifikim, menaxhim dhe administrimi”, i shtohet fondi prej 46 105 800 (dyzet e gjashtë milionë e njëqind e pesë mijë e tëtëqind) lekësh, për marrjen e masave për plotësimin e nevojave paraprake për përhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID-2019, në kategorinë e shpenzimeve korrente. 2. Efekti financiar, prej 46 105 800 (dyzet e gjashtë milionë e njëqind e pesë mijë e tëtëqind) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2020. 3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTËR Edi Rama

VENDIM Nr.241, datë 21.3.2020

PËR MIRATIMIN E KONTRATËS ME OBJEKT “BLERJE MATERIALE PËR MBROJTJEN PERSONALE (MMP) PËR COVID-19”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 1, të kreut VII, të vendimit nr.203, datë 26.2.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat që përdoren për lidhjen e kontratave që diktohen nga interesa thelbësore të shtetit” me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave VENDOSI: Miratimin e kontratës me objekt “Blerje materiale për mbrojtjen personale (MMP) për COVID-19”, me palë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe bashkimin e operatorëve, shoqëria “Farma Net Albania”, sh.p.k. dhe shoqëria “Euromed”, sh.p.k., me vlerë 346 105 800 (treqind e dyzet e gjashtë milionë e njëqind e pesë mijë e tetëqind) lekë me TVSH, të zhvilluar me procedurën e drejtpërdrejtë me fond limit 307 864 333 (treqind e shtatë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e treqind e tridhjetë e tre) lekë pa TVSH, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTËR Edi Rama

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303