Qeveria po ‘zhvat’ invalidët me taksën e Rr. së Kombit

Invalidët e punës në Qarkun e Kukësit thonë se prej 5 qershorit, kompania koncensionare po aplikon ndaj tyre tarifë e plotë prej 100 lekësh për lëvizjen në Rrugën e Kombit.

Kryetari i Shoqatës, Mustafe Luzha, thotë se përmes një urdhri, për të cilët ata nuk janë njoftuar koncensionari u kërkon pagesë të plotë në kundërshtim me ligjin, ndërkohë që nga vendosja e tarifës ata kanë lëvizur pa probleme.

Mustafe Luzha: “Po paguajmë si gjithë qytetarëve të tjerë 100 lekë. Dy invalidë i kanë dërguar në komisariat për arsye se kanë kundërshtuar pagesën.”

Duke kërkuar ndërhyrjen direkte të kryeministrit dhe ministrave të linjës të lidhura me këtë çështje, Invalidët e Kukësit kërkojnë tërheqjen e tarifës për të lëvizur në rrugën e Kombit, ndërsa paralajmërojnë edhe greva urie.

Mustafe Luzha: “I kërkojmë kryeministrit dhe ministrave të marrin masa sa më shpejt që të mos kalojmë në grevë. Do bëjmë grevë dhe do jetë poshtërsi ta shikojë bota sesi veprohet në Shqipëri.”

Në qarkun e Kukësit, janë rreth 300 invalidë të punës që sipas shoqatës përdorin mjete të vogla me të cilat lëvizin drejt Tiranës për nevoja shëndetësore përmes Rrugës së Kombit.