fbpx

Qeveria “pranon” gabimin me banorët e Astirit, tërhiqet…deri në dhjetor!

astiri-protesta.jpg

Qeveria “Rama” ka pranuar një gabim të madh të bërë ndaj qindra banorëve të zonës së “Astirit” që preken nga projekti i rrugës për ndërtimin e Unazës së Madhe. Prej 18 ditësh banorët janë ngritur në protesta kundër këtij projekti, nisur nga një e shkuar e dhimbshme e historive të dëmshpërblimeve për projektet publike në Shqipëri, duke kërkuar garanci se për shtëpitë që do u shemben do të marrin dëmshpërblim të plotë dhe me vlerën e tregut.

Projekti i Unazës së Madhe, u quajt një projekt jo transparent, dhe pikërisht kjo rezulton nga një urdhër i fundit i dalë sot në mbrëmje nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro. Në të thuhet se janë ngritur tre grupe pune për të bërë vlerësimin e pronave që do të shemben. Vlerësimi do të përfshijë marrjen në dorëzim të dokumenteve të të gjitha banesave që preken nga projekti.  Dhe deri në muajin dhjetor – sipas urdhrit – do të jetë bërë dorëzimi i dokumentacionit mbi të cilin do të veprohet për të bërë edhe dëmshpërblimin e banorëve në kuadër të ligjit për shpronësimet e pronave private që prishen për interes publik.

Por deri para këtij urdhri, banorëve u kishin shkuar në “derë” fadromat e kompanisë që do të ndërtojë rrugën për t’i shembur shtëpitë pa asnjë lloj vlerësimi, ndërsa nga kryeministri Edi Rama, qytetarëve ende nuk u është dhënë një përgjigje. Shtëpitë e tyre do të shembeshin pa bërë asnjë vlerësim, siç është urdhëruar sot. Për herë të parë kreu i qeverisë reagoi vetëm ditën e djeshme, kur banorët kishin 17 ditë protestë, duke thënë se do të sqarojë gjithçka ditën e enjte në Kuvend. Ai shprehu bindje të plotë se shtëpitë do të shemben.

Grupet e ngritura do të bëjnë vlerësimin për shpronësimet në Unazën e Madhe, Pallati me Shigjeta deri tek Sheshi Shqiponja. Me urdhrin e fundit, e sigurt është se deri në muajin dhjetor, asnjë shtëpi nuk do të preket, derisa të bëhen vlerësimet totale, dhe të shihet nëse banorët do të jenë të kënaqur me vlerën e dëmshpërblimit.

Pikëpyetje mbetet deri më tani sesi do të procedohet me ato objekte që preken nga projekti por janë të palegalizuara. Kryeministri e ka dhënë qëndrimin e tij se objektet e paligjshme s’mund të legalizohen, një qëndrim që e përkrah dhe ligji për shpronësimet.

Nesër në ambientet jashtë parlamentit, banorët e Astirit do të vijojnë protestat e tyre për dëmshpërblim të të gjitha banesave që do të preken nga projekti.

Urdhri i dale sot ne mbremje

 

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *