Qeveritë po i përdorin rrjetet sociale për të manipuluar zgjedhjet

Freedom House ka publikuar raportin e saj të fundit në të cilin thuhet se shumë qeveri të botës po i përdorin mediat sociale për të manipuluar zgjedhjet.

“Dy temat tona kryesore të këtij viti ishin të shikonim se si qeveritë po përdorin mediat sociale për të sabotuar vetë zgjedhjet dhe gjithashtu për të monitoruar shtetasit e tyre. Zbuluam se faktorët vendas, qofshin qeveritë apo politikanët që kërkojnë të rizgjidhen – realisht përdorin internetin për të sabotuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme në vendin e tyre”- u shpreh Allie Funk, bashkë-autore e raportit të titulluar “Liria në rrjet 2019” (“Freedom on the Net 2019”).

Raporti thotë se mjeti i përdorur më gjerësisht është shpërndarja e dezinformimit nga politikanët e së djathtës së largët dhe se liritë në internet kanë pësuar rënie që nga viti 2009, kur organizata Freedom House filloi ta hartonte këtë raport të përvitshëm.