Racizmi për njerëzit me ngjyrë në BE i ngulitur thellë

stop-racism.jpg

Sipas një studimi të kryer së  fundmi, njerëzit me prejardhje afrikane po përballen me “paragjykime të përhapura dhe të rrënjosura” në të gjithë Bashkimin Europian.

Dhuna, profilizimi diskriminues nga oficerët e policisë dhe diskriminimi në kërkim të vendeve të punës dhe banimit janë të zakonshme për shumë njerëz, tha agjencia e BE për të drejtat themelore (FRA).

Sipas studimit, Finlanda ka normat më të larta të diskriminimit dhe dhunës në lidhje me racën, ndërkohë që Mbretëria e Bashkuar ka normat më të ulëta.

Agjensia e BE-së u bëri thirrje vendeve të marrin masa.

“Është një realitet i turpshëm dhe i egër: racizmi i bazuar në ngjyrën e lëkurës së një personi mbetet një goditje e përhapur në të gjithë Bashkimin Europian”, tha drejtori i FRA, Michael O’Flaherty në parathënien e raportit.

Agjensia ka anketuar rreth 6,000 njerëz në 12 vende të BE-së – duke përfshirë Francën dhe Gjermaninë, midis viteve 2015 dhe 2016.

Rreth 30% e të intervistuarve thanë se kishin përjetuar një formë të diskriminimit racor në pesë vitet para sondazhit. Kjo vlen nga 63% e të anketuarve në Finlandë në 21% në Mbretërinë e Bashkuar dhe 20% në Maltë.

Pesë përqind e të anketuarve thanë se kishin përjetuar dhunë raciste, përfshirë edhe nga oficerët e policisë. Normat më të larta të dhunës raciste u regjistruan në Finlandë (14%), Irlandë dhe Austri (të dyja 13%). Normat më të ulëta janë vërejtur në Portugali (2%) dhe Mbretërinë e Bashkuar (3%).

Shumica thanë se nuk raportonin incidentet sepse ata mendonin se nuk do të ndryshonte asgjë, ose për shkak se nuk kishin besim ose kishin frikë nga policia, thuhet në raport.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303