“Rama Ik”! Opozita sërish në protestë, ja institucionet ku do të bëhet marshimi

Pa u fshirë gjurmët e bojës dhe të zjarrit nga godina e kryeministrisë, opozita ka thirrur në një tjetër protestë mbështetësit e saj.

Policia ka vendosur gardhin metalik mbrojtës për tubimin dhe në planin e ruajtjes së rendit janë angazhuar 1700 efektivë policie. Këtë herë policia ka rrethuar edhe KQZ nga ndonjë tentative e protestuesve për të sulmuar këtë institucion.

Ora 18:39 Itinerari i marshimit të protestës së thirrur nga opozita:

Sheshi Skënderbej

Kryeministri

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë

Parlament

Ministria e Brendshme

Drejtoria e Policisë Tiranë

Simbolika e këtij marshimi proteste janë institucionet e kapura nga krimi- Parlamenti dhe Qeveria, si dhe institucionet që janë vegla të dhunës barbare policore mbi qytetarët dhe liritë e të drejta e tyre.

Ora: 18:26 Nis marshimi i protestuesve para Kryeministrisë

Mbështetësit e PD-se nga rrethet po vijnë drejt Tiranës për tiu bashkuar protestës para Kryeministrisë në orën 18:30 të pasdites së sotme.

Ndalohet jelekverdhi- Një qytetar i veshur me jelek të verdhë është ndaluar nga policia ndërsa po vendoste disa parrulla në gardhin metalik para kryeministrisë, ku shkruhej: “Ndal Genocidin dhe shpërnguljen masive të popullsisë”  “Miq perëndimorë kontribuoni për kombin shqiptar”.

Protesta e sotme do të jetë marshim proteste.

Vendimi për mbajtjen e të pestës protestë kombëtare radhazi erdhi pas një mbledhje urgjente të mbajtur nga strukturat drejtuese të PD-së dhe aleatët mesnatën e të shtunës.

Partia Demokratike dhe aleatët e saj opozitarë i kanë ftuar qytetarët sot në një tjetër protestë kombëtare “për Shqipërinë si Europa”, por ndryshe nga manifestinet e tjera antiqeveritare, ky i sotmi do të jetë një marshim proteste.

Qytetarët janë ftuar në këtë marshim proteste për mbrojtjen e demokracisë dhe shkëputjes së politikës nga krimi, si garanci për zgjedhje të lira e të ndershme dhe qeverisje të përgjegjshme qe punon për mirëqenien e qytetarëve.

Në këtë protestë mungon Sekretari Organizativ i PD, Sahit Dollapi, i cili po merr trajtim intensiv në spital nga plagët e rënda të dhunës. Sait Dollapi ka qenë në çdo protestë pikë kontakti për policinë, siç e kërkon ligji, ndërsa sonte do të jetë Sekretari i Burimeve Njerëzore Ervin Minarolli.

Në njoftimin që PD i ka dërguar policisë për marshimin e protestës, u ka kërkuar punonjësve të policisë së shtetit të mos bëhen pjesë e provokimeve dhe dhunës së paligjshme kundër qytetarëve.